
Adriatik Lapaj, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe kërkoi dorëheqjen e tij, duke e cilësuar si “njeriun më të korruptuar në Europë”.
Ai tha se qeveria ka shpërdoruar fondet publike, ndërsa qytetarët përballen me varfëri, mungesë shërbimesh shëndetësore dhe kushte të vështira në shkolla.
“Erdhi për të zhbërë modelin e oligarkisë së Berishës, por nuk është zhbërë…jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Europë.
A ja dha populli 83 mandate që ta vjedhë?
Ato mandate kanë zero vlerë sepse populli e di të vërtetën që ata na vjedhin.
Ju këtu jeni njerëz të lirë, shqiptarët janë njerëz që meritojnë të jetojnë me dinjitet. Kemi 27 net që flemë në këtë shesh.
Regjimi hajdut i Ramës nuk ka dërguar asnjë ambulancë…Për ata ne jemi njerëz që nuk duhet të ekzistojmë…
Këta kanë blerë 10 mln euro çokollata, por buxheti kundër kancerit nuk është 10 mln euro në këtë vend. Me një firmë të zv/kryeministres kanë vjedhur 50 mln euro, ndërsa fëmijët në shkolla dridhen nga i ftohti”, tha ai.