
Të paktën shtatë shpërthime dhe fluturime të avionëve në lartësi të ulët u dëgjuan rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, ndërsa qeveria e presidentit Nicolás Maduro akuzoi Shtetet e Bashkuara për sulme ndaj objekteve civile dhe ushtarake, pas një fushate presioni që zgjat prej muajsh.
Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) kishte shpallur më herët ndalimin e fluturimeve komerciale amerikane në hapësirën ajrore të Venezuelës për shkak të “aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak”, pak para shpërthimeve në Karakas, sipas AP.
Ndërkohë nga Uashingtoni nuk ka patur reagime lidhur me rolin e tij, objektivat apo qëllimin e sulmeve.
Shpërthimet i nxorën njerëzit në rrugë, ndërsa të tjerë përdorën rrjetet sociale për të raportuar se kishin dëgjuar dhe parë shpërthime.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte viktima. Sulmi i dukshëm zgjati më pak se 30 minuta, por mbeti e paqartë nëse do të pasonin veprime të tjera.
Dy orë më vonë, disa zona të qytetit vazhdonin të ishin pa energji elektrike, ndërsa qarkullimi i mjeteve vijonte normalisht.
Tym u pa të ngrihej nga hangari i një baze ushtarake në Karakas, ndërsa një tjetër instalim ushtarak në kryeqytet mbeti pa energji elektrike.
“Toka u drodh e gjitha. Kjo është e tmerrshme. Dëgjuam shpërthime dhe avionë,” tha Carmen Hidalgo, 21 vjeçe, punonjëse zyre, me zërin që i dridhej, ndërsa ecte me shpejtësi bashkë me dy të afërm, duke u kthyer nga një festë ditëlindjeje. “Ndjemë sikur ajri na godiste.”
Shpërthimet ndodhën në një kohë kur administrata Trump ka përshkallëzuar fushatën e presionit ndaj Madurros, i cili në SHBA është akuzuar për narco-terrorizëm.
Javën e kaluar, CIA qëndroi pas një sulmi me dron ndaj një zone ankorimi që besohet se përdorej nga kartelet e drogës në Venezuelë, duke shënuar operacionin e parë të drejtpërdrejtë në tokën venezueliane që nga nisja e sulmeve amerikane në shtator.
Presidenti Donald Trump prej muajsh ka kërcënuar se mund të urdhërojë sulme ndaj objektivave në territorin venezuelian, pas një sërë sulmesh ndaj anijeve të akuzuara për trafik droge. Maduro i ka dënuar operacionet ushtarake amerikane si një përpjekje të maskuar për ta rrëzuar nga pushteti.
Pentagoni ia referoi kërkesat për koment Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj menjëherë telefonatave apo email-eve. Edhe Komanda Jugore e SHBA-së, që mbikëqyr operacionet ushtarake në rajon, nuk dha përgjigje.
Qeveria venezueliane u bëri thirrje mbështetësve të saj të dalin në rrugë. “Populli në rrugë!” thuhej në një deklaratë zyrtare.
“Qeveria Bolivariane u bën thirrje të gjitha forcave shoqërore dhe politike në vend të aktivizojnë planet e mobilizimit dhe të dënojnë këtë sulm imperialist.”
Në deklaratë u shtua se Maduro kishte “urdhëruar zbatimin e të gjitha planeve kombëtare të mbrojtjes” dhe kishte shpallur “gjendje të trazirave të jashtme”, e cila i jep atij kompetenca të zgjeruara, përfshirë pezullimin e disa të drejtave dhe rritjen e rolit të forcave të armatosura.
Faqja e internetit e Ambasadës së SHBA-së në Venezuelë, e mbyllur që prej vitit 2019, lëshoi një paralajmërim për shtetasit amerikanë në vend, duke thënë se ishte “në dijeni të raportimeve për shpërthime në dhe rreth Karakasit” dhe duke u kërkuar qytetarëve amerikanë të “qëndrojnë të strehuar”.
FAA paralajmëroi gjithashtu pilotët komercialë dhe privatë amerikanë se hapësira ajrore mbi Venezuelë dhe ishullin Curaçao ishte e ndaluar “për shkak të rreziqeve të sigurisë së fluturimit që lidhen me aktivitetin e vazhdueshëm ushtarak”.
Shpërthimet ndodhin mes një përshkallëzimi të veprimeve ushtarake amerikane në rajon. SHBA ka sekuestruar cisterna nafte të sanksionuara pranë brigjeve të Venezuelës dhe Trump ka urdhëruar bllokadën e të tjerave, në një lëvizje që synon shtrëngimin e mëtejshëm të ekonomisë venezueliane.
Ushtria amerikane ka sulmuar anije në Detin e Karaibeve dhe në Paqësorin lindor që nga fillimi i shtatorit. Sipas shifrave të administratës Trump, deri të premten ishin regjistruar 35 sulme ndaj anijeve dhe të paktën 115 viktima.
Maduro ka deklaruar se SHBA synon ndryshimin e qeverisë në Venezuelë dhe sigurimin e aksesit në rezervat e mëdha të naftës përmes kësaj fushate presioni, ndërsa Irani, një aleat i ngushtë i Karakasit prej vitesh, raportoi gjithashtu për shpërthimet, duke transmetuar pamje nga kryeqyteti venezuelian.