
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka vlerësuar të mërkurën përparimin teknologjik të vendit në fusha si inteligjenca artificiale dhe gjysmëpërçuesit, duke këmbëngulur edhe një herë se Kina do të aneksojë Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë të pavarur.
Gjatë fjalimit të Vitit të Ri, të transmetuar të mërkurën në mbrëmje nga mediat shtetërore, Xi lavdëroi arritjet e Kinës në sektorë kyç, përfshirë teknologjinë ushtarake dhe eksplorimin hapësinor, sipas The Indipendent.
Ndërsa ai fliste, në ekran u shfaqën pamje nga robotë humanoidë që kryenin lëvizje kung fu, si edhe projekte të reja hidroenergjetike.
“Ne u përpoqëm të nxisim zhvillimin me cilësi të lartë përmes inovacionit,” tha Xi, duke falënderuar qytetarët kinezë për kontributin e tyre në rritjen ekonomike të vendit gjatë pesë viteve të fundit.
Kina e planifikon zhvillimin e saj ekonomik në cikle pesëvjeçare dhe pritet të diskutojë planin e ri pesëvjeçar në sesionin legjislativ që do të mbahet në mars.
Vendi synon të përshpejtojë vetë-mjaftueshmërinë në shkencë dhe teknologji, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po vendosin kontrolle gjithnjë e më të rrepta mbi aksesin në gjysmëpërçues dhe produkte të tjera të teknologjisë së lartë.
Xi vlerësoi gjithashtu rritjen e rolit të Kinës në arenën ndërkombëtare, duke përmendur një sërë ngjarjesh politike të nivelit të lartë dhe shkëmbimesh diplomatike që vendi ka organizuar gjatë vitit të kaluar.
Sa i përket Tajvanit, një demokraci e vetëqeverisur që Kina e konsideron territor sovran të saj, Xi përsëriti synimin e Pekinit për aneksim.
“Ne kinezët në të dy anët e Ngushticës së Tajvanit ndajmë një lidhje gjaku dhe farefisnie,” u shpreh ai. “Ribashkimi i atdheut tonë, një prirje e kohës, është i pandalshëm.”
Këtë javë, Kina zhvilloi dy ditë stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, duke lëshuar raketa dhe duke dërguar avionë e anije luftarake, si reagim ndaj një shitjeje të planifikuar armësh nga SHBA drejt ishullit.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, i dënoi stërvitjet, por tha se territori i tij do të veprojë me përgjegjësi, duke mos e përshkallëzuar konfliktin dhe duke mos provokuar përplasje.