
Komisariati i Policisë Mirditë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Mekanizmi”, duke arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Si rezultat i informacioneve operative dhe bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u kap në qytetin e Rrëshenit dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi M. Zh., alias M. T., 35 vjeç.
Sipas Policisë, 35-vjeçari ishte i kërkuar nga drejtësia italiane për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, i akuzuar për 71 vjedhje dhe tentativa vjedhjeje me armë, të kryera gjatë vitit 2023 në banesa, në katër rajone të Italisë. Për këto vepra, Gjykata e Milanos i ka caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim prone.
Nga hetimet rezulton se për secilin rast, 2 deri në 4 anëtarë të grupit dyshohet se kanë qenë të armatosur, kanë kryer vjedhjet dhe më pas janë larguar me automjete.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz” me të cilin lëvizte i ndaluari. Ndërkohë, nisi procedimi penal për veprën “Përkrahja e autorit të krimit” ndaj shtetasit G. N., 37 vjeç, banues në Mirditë, i cili drejtonte automjetin në momentin e ndalimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet italiane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 35-vjeçarit.