Vendosni fjalën kyçe....

Franca do ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeçët dhe telefonat në gjimnaze


Franca do shqyrtojë në janar një projektligj që synon ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç dhe ndalimin e telefonave celularë në shkollat e mesme (gjimnaze), raportoi të mërkurën transmetuesi Franceinfo.

Këshilli i Shtetit i Francës do shqyrtojë projektligjin më 8 janar, me qëllim ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për të rinjtë nën moshën 15 vjeç dhe ndalimin e përdorimit të celularëve në gjimnaze duke filluar nga viti i ri shkollor, gjegjësisht në shtator 2026.

Sipas burimeve qeveritare, projektligji është hartuar në atë mënyrë që të sigurojë përputhshmërinë me ligjin evropian, ndryshe nga një përpjekje e mëparshme e cila dështoi.

Në nëntor, Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se dëshironte të zgjeronte ndalimin e përdorimit të celularëve në shkollat e mesme që nga fillimi i vitit shkollor 2026-2027 dhe të vendoste një ndalim të rrjeteve sociale për të rinjtë nën moshën 15 ose 16 vjeç.

Ndalimi i celularëve është tashmë në fuqi nga çerdhet deri në shkollën e mesme të ulët (tetëvjeçare/nëntëvjeçare) sipas një ligji të vitit 2018, megjithëse herë pas here është vërtetuar se është i vështirë për t’u zbatuar, shkruan Anadolu Agency.

Shumë studime akademike kanë dokumentuar rreziqet e shëndetit mendor nga përdorimi i rrjeteve sociale nga të rinjtë, si dhe rreziqet e shpërqendrimit nga celularët te adoleshentët.