Vendosni fjalën kyçe....

Anijet kineze tërhiqen nga ujërat rreth Tajvanit, por ishulli mbetet në gatishmëri



Anijet luftarake dhe mjetet e rojes bregdetare të Kinës po tërhiqen nga ujërat përreth Tajvanit, bëri të ditur të mërkurën për DW roja bregdetare tajvaneze, duke sinjalizuar përfundimin e mundshëm të stërvitjeve më të mëdha ushtarake të zhvilluara nga Pekini rreth ishullit vetëqeverisës.

Megjithatë, autoritetet kineze nuk kanë shpallur ende zyrtarisht përfundimin e stërvitjeve, deklaroi Kuan Bi-ling, drejtuesja e Këshillit të Çështjeve Oqeanike të Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, 35 avionë ushtarakë kinezë kanë kaluar vijën mediane të Ngushticës së Tajvanit, që ndan de facto dy palët.

Pavarësisht tërheqjes së pjesshme, Tajvani mbetet në gjendje gatishmërie. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i rojes bregdetare, Hsieh Ching-chin, tha për AFP se 11 anije tajvaneze vazhdojnë të patrullojnë zonën, pasi mjetet kineze nuk janë larguar plotësisht.

“Nuk mund të ulim vigjilencën”, u shpreh ai.

Stërvitje që simuluan bllokadën e porteve të Tajvanit

Gjatë dy ditëve të fundit, Kina zhvilloi stërvitje ushtarake masive rreth Tajvanit. Në kuadër të manovrave, u simulua një bllokadë e porteve të ishullit, ndërsa u përdorën raketa, avionë luftarakë, si dhe dhjetëra anije ushtarake dhe të rojes bregdetare.

Stërvitjet, të emërtuara “Justice Mission 2025”, përfshinë edhe ushtrime me zjarr të vërtetë në disa zona përreth Tajvanit, sipas Komandës së Teatrit Lindor të Ushtrisë Kineze.

Zëdhënësi i Zyrës për Çështjet e Tajvanit në Pekin, Zhang Han, i cilësoi stërvitjet si një “masë të domosdoshme dhe të drejtë” për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës. Më herët, ushtria kineze i kishte përshkruar manovrat si një “paralajmërim të fortë” ndaj forcave që mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe si një përpjekje për të penguar ndërhyrjen e jashtme ushtarake.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta vënë nën kontroll, ndërsa Tajvani i hedh poshtë këto pretendime.

Reagime ndërkombëtare

Autoritetet në Tajpe i dënuan stërvitjet si provokim të hapur dhe kërcënim për sigurinë rajonale. Edhe Australia dhe Japonia reaguan, duke shprehur shqetësim për veprimet e Pekinit.

Ministria e Jashtme e Australisë paralajmëroi se stërvitjet rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet në rajon dhe bëri thirrje që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut. Japonia, e cila së fundmi ka sinjalizuar se mund të përfshihet ushtarakisht në rast të një sulmi ndaj Tajvanit, u shpreh e shqetësuar dhe kërkoi negociata paqësore.

“Paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit janë të rëndësishme për gjithë komunitetin ndërkombëtar”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme japoneze, Toshihiro Kitamura.

Nga ana e saj, Kina reagoi ashpër ndaj kritikave, duke i cilësuar ato si “të papërgjegjshme”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se disa vende po “mbyllin sytë përballë forcave separatiste në Tajvan që synojnë pavarësinë përmes mjeteve ushtarake”.