Vendosni fjalën kyçe....

Të pasurit e Azisë i kthehen Zvicrës për të depozituar pasuritë e tyre


Bankat private zvicerane po zgjerojnë ekipet e tyre të fokusuara te Azia brenda Zvicrës, pas një rritjeje të mprehtë të kërkesave dhe referimeve nga ky rajon gjatë dy viteve të fundit.

Bankierët thonë se zyrat e pasurisë familjare dhe individët tejet të pasur aziatikë po i transferojnë gjithnjë e më shumë paratë e tyre në Zvicër, duke kërkuar marrëdhënie direkte dhe një strehë të sigurt për asetet, përfshirë arin fizik në kasaforta.

Klientët dëshirojnë që investimet e tyre të regjistrohen ligjërisht dhe të mbahen në Zvicër, edhe nëse ata jetojnë dhe punojnë diku tjetër, thonë bankierët.

Zvicra ka ruajtur pozicionin e saj si streha kryesore në botë, pavarësisht parashikimeve shumëvjeçare se gërryerja e sekretit bankar dhe presioni ndërkombëtar mbi financat offshore do zbehnin statusin e saj. Vendi mbeti qendra kryesore për pasurinë offshore në vitin 2024, me 2.74 trilionë dollarë asete nën menaxhim, sipas Boston Consulting Group (BCG).

Qendrat rivale si Hong Kongu, Singapori dhe Dubai janë rritur më shpejt vitet e fundit. Hong Kongu kishte 2.65 trilionë dollarë asete nën menaxhim vitin e kaluar, ndërsa Singapori 1.92 trilionë dollarë. Megjithatë, këto dy qendra aziatike janë bërë “vende gjuetie” jetike për bankat private zvicerane, duke shërbyer si burime me rritje të shpejtë për klientë të rinj, asetet e të cilëve në fund të fundit rrjedhin drejt Zvicrës.

Sipas të dhënave nga BIS dhe SNB, numri i depozitave nga banorët e Hong Kongut dhe Singaporit është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

“Në të kaluarën, shumë pak klientë kërkonin regjistrim shtesë në Zvicër. Tani gjithnjë e më shumë po pyesin nëse mund t’i mbajnë mjetet në Zvicër. Ky është dimensioni i ri që po nis,” tha Omar Shakur, drejtor ekzekutiv për klientët privatë të Azisë në bankën Lombard Odier.

Ky ndryshim shënon një thyerje nga dekada e fundit, ku afërsia dhe komoditeti i kishin bërë Hong Kongun dhe Singaporin qendrat natyrale për pasurinë aziatike. Bankierët thonë se tronditjet politike në rajon, si ligji i ri i rreptë i sigurisë kombëtare në Hong Kong në vitin 2019, i ndjekur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kanë shtuar shqetësimet e të pasurve të Azisë për sigurinë e pasurive të tyre.

Christian Cappelli nga banka “Julius Baer” në Zyrih, tha se që nga viti 2019, “klientët ndjenë gjithnjë e më shumë se gjërat gjeopolitike ishin më pak të parashikueshme, dhe prandaj ishte e rëndësishme të kishin asete në jurisdikcione të ndryshme.”

Christian Frie nga “LGT Private Banking”, shtoi se Zvicra është bërë “qendra e përzgjedhur e regjistrimit” për klientët aziatikë jashtë rajonit të tyre. Zakonisht, këta klientë alokojnë rreth 10 deri në 15 për qind të pasurisë së tyre jashtë Azisë, dhe Zvicra është zgjedhja e tyre e parë.

Si pasojë, bankat kanë zgjeruar zyrat e tyre për Azinë në Zvicër. Ekipi i Azisë në UBS tani ka më shumë se 100 persona, ndërsa te LGT numri i stafit është rritur nga më pak se 10 në vitin 2023, në gati 30 në Zyrih dhe Gjenevë, shkruan Financial Times.

Frank Niedermann nga UBS vuri në dukje se disa zyra familjare tani duan të kenë një seli në Azi dhe një në Evropë. Megjithatë, ai paralajmëroi se magjia e një llogarie zvicerane duhet shpjeguar realisht: “Ne e dimë, për shembull, se kur bëhet fjalë për tregtimin e aksioneve nuk mund të jemi konkurrues me vende si Hong Kongu për shkak të taksës së vulës (stamp duty). Por ka pika të tjera të forta.”