
Një ngjarje e rëndë është zbuluar këtë të martë në fshatin Piskupat të Pogradecit, ku një e mitur 12-vjeçare ka rezultuar shtatzënë rreth 22 javëshe pas një abuzimi seksual.
Sipas informacioneve paraprake, vajza dyshohet të ketë qenë viktimë e një përdhunimi nga një i moshuar, rreth 70 vjeç, i cili kishte njohje familjare me familjen e saj. Rasti u evidentua pasi prindërit vunë re ndryshime fizike tek vajza dhe e çuan për ekzaminim në spitalin e Korçës, ku u konfirmua shtatzënia.
Burimet bëjnë me dije se i dyshuari e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën për të mos treguar ngjarjen. Policia ka arrestuar autorin, ndërsa po vijojnë veprimet hetimore dhe marrja në pyetje e familjarëve. E mitura ka dhënë dëshminë e saj në prani të psikologut.
Sipas informacioneve, abuzimi ka ndodhur në banesën e të dyshuarit, e cila ndodhet ngjitur me shtëpinë e familjes së vajzës. Familjarët e vajzës kanë deklaruar se kishin marrëdhënie të mirë me familjen e autorit dhe nuk kishin dyshime për ndonjë rrezik, duke theksuar gjendjen e tyre të rënduar emocionale dhe turpin për ngjarjen e ndodhur.
Rasti vijon të hetohet nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore ndaj autorit.