Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky i kërkon Trump-it garanci 50-vjeçare për Ukrainën


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy deklaroi se i ka kërkuar Donald Trump-it garanci sigurie nga SHBA-ja me kohëzgjatje deri në gjysmë shekulli, për të ndihmuar në parandalimin e çdo pushtimi të ardhshëm rus.

Propozimet aktuale që po diskutohen si pjesë e një plani paqeje parashikojnë një afat 15-vjeçar me mundësi zgjatjeje, megjithëse “unë do dëshiroja që garancia të ishte shumë më e gjatë”, tha Zelenskiy të hënën në një mesazh audio për gazetarët.

“Ne do dëshironim të konsideronim mundësinë e 30, 40, 50 viteve dhe ky do të ishte një vendim historik nga Trump.”

Garancitë e sigurisë nga SHBA, të cilat do konfirmoheshin nga Kongresi, do kombinoheshin me zotimet e kombeve në të ashtuquajturin “Koalicioni i Vullnetarëve” për të formuar një mbrojtje efektive për Ukrainën, tha Zelensky. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do ishte gjithashtu pjesë e marrëveshjeve të sigurisë për vendin e tij, tha ai.

Komentet erdhën pasi Zelenskiy dhe Trump zhvilluan bisedime në resortin e presidentit amerikan në Mar-a-Lago, Florida, të dielën. Ndërsa Trump tha se u bë “shumë përparim” drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë, të dy krerët pranuan se çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura.

Ato përfshinin statusin e territoreve në lindje të Ukrainës dhe fatin e centralit bërthamor të Zaporozhzhia-s që është i pushtuar nga Rusia.

Zelenskiy tha se nuk u arrit asnjë konsensus në bisedimet e tij me Trump mbi kërkesën e presidentit rus Putin që Ukraina të tërhiqet nga rajoni i Donbasit, i cili është pjesërisht i pushtuar nga trupat e Moskës, shkruan Bloomberg.