
Perspektivat për gjetjen e një pune në Gjermani kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët historik, sipas shefes të Agjencisë Federale të Punësimit, Andrea Nahles.
Duke folur për DW News të premten, Nahles tha se treguesi i gjetjes së punës, i cili zakonisht qëndron rreth shtatë pikëve, ka rënë në 5.7, duke e quajtur atë “më të ulin e të gjitha kohërave”.
Ajo e përshkroi tregun e punës si të ngecur prej muajsh. Nahles shtoi se perspektivat janë veçanërisht të dobëta për ata që hyjnë rishtas në tregun e punës, duke shtuar se edhe punëtorët e kualifikuar mirë nuk janë më plotësisht të mbrojtur nga humbja e vendit të punës.
“Kemi vendosur më pak të rinj në praktika mësimore se në çdo kohë tjetër në 25 vitet e fundit,” tha zyrtarja.
Vërejtjet e saj vijnë mes rënies ekonomike që pasoi pas luftës së Rusisë në Ukrainë gjë që çoi në sanksione ndaj Moskës e ndalimin e importit të energjisë së lirë ruse, shkruan Rt.
Falimentimet e bizneseve u rritën në nivelin më të lartë të 11 viteve të fundit gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, duke çuar në rritjen e humbjeve të vendeve të punës. Instituti Halle për Kërkime Ekonomike (IWH) vlerëson se rreth 170,000 pozicione pune janë prekur në vitin 2025, nga më pak se 100,000 që ishin para pandemisë COVID-19.
Papunësia tejkaloi shifrën prej tre milionësh në gusht, dhe mbi 100,000 njerëz më shumë hynë në tregun e punës në nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Institutit Ekonomik Gjerman (IW), ekonomia ka hyrë në një gjendje “shoku” për shkak të kërkesës së dobët të huaj, normave të larta të interesit dhe një krizë energjetike të zgjatur. Pas një parashikimi fillestar për tkurrje, PBB-ja (Produkti i Brendshëm Bruto) tani pritet të shënojë një rritje modeste prej vetëm 0.2%, ndërsa për vitin 2026 parashikohet vetëm 0.9%.