Vendosni fjalën kyçe....

Rusia po vendos raketa të reja hipersonike bërthamore në një ish-bazë ajrore në Bjellorusi


Rusia ka shumë gjasa të jetë duke vendosur raketa të reja balistike hipersonike, të afta për mbajtje bërthamore, në një ish-bazë ajrore në lindje të Bjellorusisë, një zhvillim që mund të forcojë ndjeshëm aftësinë e Moskës për të goditur objektiva në të gjithë Evropën.

Ky është përfundimi i dy studiuesve amerikanë, të cilët kanë analizuar imazhe satelitore, sipas Reuters.

Vlerësimi i tyre përputhet gjerësisht me gjetjet e inteligjencës amerikane, tha një burim i njohur me çështjen, duke folur në kushte anonimiteti, pasi informacioni nuk është i autorizuar për publikim.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë të qartë synimin për të vendosur raketat me rreze të ndërmjetme Oreshnik në Bjellorusi, me një rreze veprimi të vlerësuar deri në 5.500 kilometra, por deri tani nuk ishte raportuar vendndodhja e saktë e tyre.

Vendosja e Oreshnikut do të theksonte varësinë gjithnjë e më të madhe të Kremlinit nga kërcënimi bërthamor, në përpjekje për të penguar vendet e NATO-s që të furnizojnë Ukrainën me armë që mund të godasin thellë brenda territorit rus, vlerësojnë disa ekspertë.

Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment, ndërsa ambasada e Bjellorusisë refuzoi të komentojë.

Agjencia shtetërore bjelloruse Belta citoi ministrin e Mbrojtjes, Viktor Khrenin, të ketë thënë se vendosja e Oreshnikut nuk do të ndryshojë balancën e fuqisë në Evropë dhe se është “përgjigjja jonë” ndaj veprimeve “agresive” të Perëndimit.

 

Strategji e rishikuar ruse

Studiuesit Jeffrey Lewis, nga Instituti Middlebury për Studime Ndërkombëtare në Kaliforni, dhe Decker Eveleth, nga organizata kërkimore CNA në Virxhinia, thanë se përfundimet e tyre bazohen në imazhe të kompanisë satelitore Planet Labs, të cilat tregojnë elemente tipike të një baze strategjike ruse për raketa.

Sipas tyre, ekziston rreth 90% siguri që lëshuesit mobilë të raketave Oreshnik po vendosen në ish-bazën ajrore pranë qytetit Krichev, rreth 307 kilometra në lindje të Minskut dhe 478 kilometra në jugperëndim të Moskës.

Rusia testoi një raketë Oreshnik të armatosur në mënyrë konvencionale kundër një objektivi në Ukrainë në nëntor të vitit 2024.

Putin ka pretenduar se kjo armë është e pamundur të interceptohet, për shkak të shpejtësive që raportohet se tejkalojnë Mach 10.

Sipas John Foreman, ekspert në Chatham House dhe ish-atashe ushtarak britanik në Moskë dhe Kiev, Putin synon ta vendosë këtë armë në Bjellorusi për të zgjeruar rrezen e saj të goditjes më thellë në Evropë.

Ai e sheh këtë lëvizje edhe si reagim ndaj planeve të SHBA-së për të vendosur vitin e ardhshëm në Gjermani raketa konvencionale, përfshirë sistemin hipersonik Dark Eagle.

Vendosja e Oreshnikut vjen vetëm pak javë para skadimit të traktatit New START të vitit 2010, marrëveshja e fundit mes SHBA-së dhe Rusisë që kufizon arsenalet bërthamore strategjike të dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Pas një takimi në dhjetor 2024 me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, Putin deklaroi se Oreshniku mund të vendosej në Bjellorusi në gjysmën e dytë të këtij viti, si pjesë e një strategjie të rishikuar, ku për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, Rusia po vendos armë bërthamore jashtë territorit të saj.

Lukashenko tha javën e kaluar se raketat e para tashmë janë vendosur, pa dhënë detaje për vendndodhjen.

Ai shtoi se deri në 10 raketa Oreshnik mund të bazohen në Bjellorusi. Studiuesit amerikanë vlerësojnë se baza pranë Krichev mund të strehojë vetëm tre lëshues dhe se pjesa tjetër mund të vendoset në një lokacion tjetër.

 

Ndërtim i përshpejtuar

Sipas studiuesve, analizimi i imazheve satelitore tregon një projekt ndërtimi të përshpejtuar që ka nisur mes datave 4 dhe 12 gusht, me elemente tipike të një baze strategjike raketore ruse.

Një tregues kyç, sipas Eveleth, është një pikë transferimi hekurudhore e nivelit ushtarak, e rrethuar me gardh sigurie, ku raketat, lëshuesit mobilë dhe komponentë të tjerë mund të transportohen me tren.

Ndërkohë, Lewis përmend ndërtimin e një platforme betoni në fund të pistës, e mbuluar më pas me dhe, që sipas tij është “në përputhje me një pikë lëshimi të kamufluar”.

Eksperti i forcave bërthamore ruse, Pavel Podvig, i bazuar në Gjenevë, shprehu skepticizëm se vendosja e Oreshnikut do t’i sillte Rusisë ndonjë avantazh të madh ushtarak apo politik, përveç sigurimit të Bjellorusisë për mbrojtjen e saj.

Megjithatë, Lewis theksoi se vendosja e raketave bërthamore ruse në Bjellorusi ka një peshë të fortë politike dhe dërgon një mesazh të qartë për rritjen e varësisë së Moskës nga armët bërthamore.

“Imagjinoni sikur ne të vendosnim një Tomahawk bërthamor në Gjermani, dhe jo vetëm versionin konvencional. Nuk ka arsye ushtarake për ta vendosur këtë sistem në Bjellorusi, vetëm arsye politike”, tha ai.