Vendosni fjalën kyçe....

Qytetari i drejtohet Salianjit: Erdha për ty dhe për këtë rini, s’do vija as për Berishën, as për Ramën


Një moment i veçantë dhe mjaft domethënës është regjistruar gjatë takimit të Ervin Salianjit me demokratët në Shkodër, ku një qytetar është ngjitur në podium në fund të aktivitetit për të shpjeguar arsyet pse kishte marrë pjesë në takim.

Qytetari, i cili tha se jeton prej 30 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vjen nga një familje e persekutuar, u shpreh se nuk është partiak, por se kishte vendosur të merrte pjesë në takim pasi kishte mësuar se aty ishte Ervin Salianji dhe kishte parë praninë e madhe të të rinjve.

“Jetoj prej 30 vitesh në SHBA, vij nga një familje e persekutuar. Nuk jam partiak. Kur pashë gjithë këtë rini duke hyrë këtu, erdha kur mora vesh që je ti. S’do vija as për Ramën, as për Berishën. Jam kombëtar, dua Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh qytetari, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Salianjit.

Ai theksoi se gjatë viteve në SHBA ka qenë i angazhuar në lobimin për çështjen shqiptare dhe ka pritur figura të rëndësishme politike shqiptare, si Sali Berishën, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Voltana Ademin.

Sipas tij, ka lobuar edhe pranë ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe është vlerësuar nga Kongresi i SHBA-së për kontributin e tij.

“Për mua, ai që është më i miri, demokrat apo socialist, atij i dhëntë Zoti forcë të marrë në dorë qeverinë shqiptare. I ka ardhur koha gjeneratës tonë që të rrijë dhe t’ua lërë drejtimin të rinjve”, tha ai.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë për Salianjin, qytetari pranoi se rruga që ai ka zgjedhur nuk është e lehtë, por theksoi se shpresën e sheh te rinia.

“Atje ne i ndjekim çështjet politike dhe nuk është e lehtë me dalë aty ku je nisur. Këta i kanë mbushur xhepat herët dhe nuk i zbrazin lehtë. Ju jeni pa para në xhep dhe e keni të vështirë. Por jam i kënaqur me këtë rini dhe i kërkoj rinisë të bashkohet me ty. Mos prisni se vjen Amerika dhe bën punët në shtëpinë tonë, bëjini ju këtu”, përfundoi ai.