
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka uruar besimtarët për Krishtlindjen nga paraburgimi në Durrës, ku mbahet prej disa muajsh.
Në një postim në rrjetin social, Veliaj shkruan se vigjilja e festave kujton se “drita gjithmonë fiton mbi errësirën dhe se shpresa lind edhe në momentet më të vështira”. Ai u bën thirrje qytetarëve që kjo Krishtlindje të jetë një ftesë për më shumë dashuri, mirëkuptim dhe besim te njëri-tjetri.
Veliaj shton se dëshiron që çdo familje të ndjejë ngrohtësinë e bashkimit, çdo zemër të mbushet me paqe dhe që viti i ri të gjejë të gjithë më të fortë dhe më të vendosur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
“Kjo vigjilje festash na kujton se drita fiton mbi errësirën. Le ta mbajmë ndezur shpresën, sepse kur jemi bashkë, çdo sfidë mund të kthehet në mundësi. Gëzuar Krishtlindjen dhe një vit 2026 plot dritë e optimizëm!”, shkruan Veliaj.