Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet në Turqi avioni me shefin e ushtrisë libiane, konfirmohet vdekja e Muhammad al-Haddad



Kryeministri i Libisë, Abdul-Hamid Dbeibah, ka konfirmuar të martën vdekjen e shefit të ushtrisë libiane, gjeneral Muhammad Ali Ahmad al-Haddad, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Turqi, përcjell DW.

Sipas autoriteteve turke, bëhet fjalë për një avion privat të tipit Dassault Falcon 50, me të cilin delegacioni libian po kthehej në atdhe pas një vizite zyrtare në Ankara. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, bëri të ditur se avioni u nis nga aeroporti Esenboga i Ankarasë në orën 20:10 me orën lokale, ndërsa kontaktet me kontrollin ajror u humbën rreth 40 minuta më pas.

Kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, Burhanettin Duran, deklaroi se ekuipazhi kishte raportuar një defekt teknik dhe kishte kërkuar ulje emergjente. Pak çaste më vonë, avioni humbi kontaktin dhe u rrëzua rreth 70 kilometra në jug të Ankarasë. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e shpërthimit të avionit në tokë.

Në një deklaratë në Facebook, kryeministri libian Dbeibah e cilësoi ngjarjen si një “aksident tragjik”, duke theksuar se delegacioni po kthehej nga një vizitë zyrtare në Turqi.

Përveç gjeneral al-Haddad, në avion ndodheshin edhe katër pasagjerë të tjerë: këshilltari i tij Mohammed Al-Asawi Diab, gjeneralmajor Al-Fitouri Ghraibil, këshilltari Mahmoud al-Qatiwi dhe fotografi Mohammed Omar Ahmed Mahjoub. Autoritetet turke konfirmuan gjithashtu se tre anëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën në aksident.

Turqia mban marrëdhënie të ngushta me qeverinë e njohur nga OKB-ja në Tripoli dhe i ofron asaj mbështetje ushtarake.

Libia vijon të përballet me paqëndrueshmëri të thellë politike dhe siguri të brishtë që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011. Aktualisht, vendi është i ndarë mes qeverisë së Dbeibah në perëndim dhe një qeverie rivale në lindje, të udhëhequr nga Osama Hammad, e mbështetur nga Rusia.