
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj një deklarate të kryeministrit Edi Rama, kur ky u pyet nga një gazetar italian për biznesmenin Ergys Agasi, tashmë i akuzuar nga SPAK si kreu i një grupi kriminal.
Shehaj solli në vëmendje mbrojtjen që Rama i bëri Agasit, duke e cilësuar këtë të fundit si “njeriun në hije” me pushtet të jashtëzakonshëm, që sipas tij koordinonte tendera dhe mbante nën kontroll administratën, pa pasur asnjë post zyrtar.
Video-mesazhi i Agron Shehaj:
Dëgjoni se si Edi Rama mbronte Agasin kur e pyeste gazetari italian:
“Mos e ul nivelin e gazetarisë” i thoshte, “ai është në punën e vet, ai nuk është këtu dhe nuk mund të mbrohet, mos mbani njerëzit në gojë kot”.
Kjo ishte përgjigja e Edi Ramës.
Edi Rama ishte kapur shumë ngushtë sepse Agasi ishte projektuar për të qenë ‘njeriu në hije’ pa asnjë post, pa asnjë lidhje zyrtare me Edi Ramën por me një pushtet të jashtëzakonshëm. Prandaj të gjithë shkonin edhe jepnin llogari te Agasi dhe merrnin urdhrat nga Agasi, koordinoheshin nga ai.
Sepse atë kishte Edi Rama si njeriun kyç, ‘njeriun hije’ që asnjë nuk duhet ta njihte por që ishte njeriu i plotfuqishëm për të gjitha aferat e Edi Ramës Që mos të merrej vesh sepse nuk mund të ishte Edi Rama që t’i jepte urdhër një drejtori apo një ministri apo një zv.ministri që të jepte një tender.
Ai kishte ‘njeriun-hije’ dhe kjo e shqetësoi jashtë mase Edi Ramën dhe sot ne e kuptojmë sikletin e tij sepse doli haptas se çfarë pushteti kishte ai dhe për llogari të kujt punonte ai. Imagjinoni se si mundet një njeri të mbajë nën kontroll të gjithë administratën, të rrëmbejë qytetarë shqiptarë, të ketë në dispozicion të gjitha të dhënat e shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse Edi Rama është zhdukur, kjo është arsyeja pse Edi Rama ka kyçur gojën.
Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministri i Shqipërisë.
Duhet të japë dorëheqje sa më shpejt dhe duhet të kemi sa më shpejt zgjedhje të parakohshme.