
Kancelari gjerman Friedrich Merz po bënte një përpjekje të fundit për të bindur krerët e BE-së që të përdornin 210 miliardë euro nga asetet sovrane ruse të ngrira për të ndihmuar Ukrainën, kur kuptoi se i mungonte një aleat kritik: Emmanuel Macron.
Në javët para samitit të së enjtes në Bruksel, presidenti francez nuk e kundërshtoi publikisht propozimin gjerman. Megjithatë, privatisht, ekipi i tij shprehu rezerva për ligjshmërinë e tij dhe paralajmëroi se vendi i tij i mbytur në borxhe do e kishte të vështirë të lëshonte një garanci kombëtare në rast se asetet do duhej t’i ktheheshin Moskës në një afat të shkurtër.
Ndërsa më shumë vende, përfshirë Italinë, morën anën e Belgjikës – ku ndodhet pjesa më e madhe e aseteve ruse dhe qeveria e së cilës e kundërshtoi planin që në fillim – Macron iu bashkua atyre, duke e asgjësuar idenë.
“Macron e tradhtoi Merzin dhe ai e di se do ketë një çmim për t’u paguar për këtë,” tha një diplomat i lartë i BE-së me njohuri të drejtpërdrejta për bisedimet e së enjtes.
“Por ai është aq i dobët sa nuk kishte zgjedhje tjetër veçse të rreshtohej pas Giorgia Melonit.”
Përplasja nënvizon një dinamikë të re mes dy fuqive më të mëdha të Evropës: një Gjermani e udhëhequr nga nismat dhe një Francë që zvarrit proceset. Një këmbëngulje e re ka zënë vend në Berlin pasi Merz erdhi në pushtet në maj, duke zhbllokuar deri në 1 trilion euro në shpenzime për mbrojtjen dhe infrastrukturën për dekadën e ardhshme…por Parisi është penguar nga borxhi i lartë publik dhe paqëndrueshmëria politike në gjysmën e dytë të mandatit të fundit të Macronit.
Ky çekuilibër ka shuar shpresat për një rinisje të madhe të motorit franko-gjerman që dikur mundësonte hapat më të mëdhenj politikë të BE-së.
“Në Bruksel ekziston një ndjesi e prekshme se Berlini është lojtari kryesor dhe se ndikimi i Francës mungon,” tha Georgina Wright, studiuese e lartë në German Marshall Fund.
Merz është përpjekur të kthejë faqen pas tre viteve të pavendosmërisë gjermane nën paraardhësin e tij Olaf Scholz, i cili shpesh detyrohej të abstenonte në Bruksel për shkak të ndarjeve brenda koalicionit të tij – një model që u bë i njohur si “vota gjermane”. Pasi Kristian Demokratët e Merzit fituan zgjedhjet në shkurt, ai e bëri prioritet rivendosjen e marrëdhënieve me Francën.
Ajo agjendë përfshinte premtimin për të forcuar mbrojtjen evropiane, heqjen e kundërshtimit të Gjermanisë ndaj energjisë bërthamore dhe shkurtimin e rregulloreve të BE-së. Që atëherë, megjithatë, udhëheqësi gjerman është dashur të përballet me një Macron në fund mandati, i cili është rreptësisht i kufizuar në aftësinë e tij për t’u zotuar për çdo gjë që ka implikime financiare.
“Është një përmbysje e plotë e roleve mes Macronit dhe Merzit,” tha Mujtaba Rahman, kreu i Evropës në Eurasia Group.
“Tani ka një kancelar që e kupton gjeopolitikën, që dëshiron të përfshihet dhe të bëjë më shumë për Evropën…por është Parisi ai që tani nuk është në gjendje të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes.”
Një tjetër pikë e nxehtë në samit ishte marrëveshja tregtare BE-Mercosur me një grup vendesh të Amerikës Latine. Pas më shumë se 25 viteve negociata, Merz ka bërë presion prej muajsh që marrëveshja të nënshkruhej deri në fund të dhjetorit. Por Macroni gjeti sërish një aleat të papritur te Giorgia Meloni, e cila siguroi një vonesë prej disa javësh – duke i mohuar Merzit një tjetër fitore politike.
Pavarësisht përçarjes së dukshme, pati një arritje në samit, pasi blloku ra dakord të lëshonte një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, të mbështetur nga buxheti i BE-së. Një zyrtar i Elizesë këmbënguli se Macron kishte qenë instrumental në sigurimin e marrëveshjes, duke thënë se objektivi i Francës ishte gjithmonë sigurimi i garancisë financiare për Ukrainën.
Megjithatë, marrëdhënia franko-gjermane do testohet më tej në javët e ardhshme nga vendimi për projektin e përbashkët të avionëve luftarakë prej 100 miliardë eurosh, pasi Dassault i Francës dhe Airbus i Gjermanisë nuk po arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjen për ndarjen e punës.
Në shumë aspekte, Franca dhe Gjermania rrallëherë kanë qenë më të rreshtuara teksa përballen me tarifat më të larta të SHBA-së dhe kërcënimet e Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat nga Evropa. Të dy bien dakord për mbështetjen e Ukrainës dhe nevojën që kontinenti të marrë një rol më aktiv në bisedimet e paqes. Merz ka përqafuar koncepte që Parisi i ka mbrojtur prej kohësh, si autonomia strategjike evropiane.
“Në një farë mënyre BE-ja nuk ka qenë kurrë aq ‘franceze’ sa tani, duke përqafuar politikën industriale dhe të sigurisë, pikërisht kur vetë Franca po tërhiqet,” tha Wright.
“Por në Bruksel ka një ndjesi në rritje se Franca po u jep prioritet interesave kombëtare mbi ato të BE-së.”
Merz po përballet gjithashtu me padurim dhe mosbesim në vendin e tij pas këtyre pengesave diplomatike. Megjithëse ai u shpreh i kënaqur me rezultatin e javës, kritikat rrodhën nga partia e ekstremit e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), udhëheqësja e së cilës Alice Weidel pretendoi se “taksapaguesi gjerman do duhet të paguajë faturën përsëri”.
“Nuk është mirë të kthehesh në shtëpi pa Mercosur-in apo planin për asetet ruse,” tha Guntram Wolff nga Bruegel.
“Pyetja për Macronin është nëse është e mençur t’i shkaktosh humbje politike Merzit në dy çështje kaq të mëdha.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times