
Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula, ka komentuar protestën kombëtare të opozitës që po zhvillohet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë, duke shprehur kritika ndaj organizimit dhe mesazhit të saj.
I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report Tv, Sula u shpreh se protesta, ndonëse pretendohet se zhvillohet në mbrojtje të vlerave të demokracisë, lë shumë për të dëshiruar dhe ngre pikëpyetje të mëdha.
‘Sot protesta që po bënë opozita ndonëse thuhet se janë në mbrojtje të vlerave të demokracisë lënë shumë për të dëshiruar dhe kanë pikëpyetje të mëdha. Nëse nuk do bëjë ridimensionim PD nuk ka për të pasur ndryshim, nuk ka revoltë popullore’, tha ai.
Sula tha se në protestat e PD një pjesë e militantëve të partisë nuk marrin pjesë.
‘Edhe militantë të PD nuk vijnë tek protesta, sepse pjesa më e madhe është e përjashtuar. Shikoni Peqin, Gramsh kanë ngelur me gishtat e dorës, por aty kanë mbetur njerëz që nuk kanë vlera që nuk bëjnë as 200 veta. Ky është problemi që ka opozita, nëse opozita nuk sjell ndryshime brenda vetes nuk mund të ndodh asgjë’, tha ai.
Sipas Sulës, opozita e vërtetë sot në Shqipëri është SPAK. Ish-deputeti kritikoi ashpër qëndrimin e PD ndaj SPAK, duke theksuar se ky institucion i drejtësisë duhet të ishte aleat i saj dhe jo objekt sulmesh.
‘Fatkeqësisht opozita e vërtetë sot në Shqipëri përballë politikës është SPAK dhe GJKKO. Në një vende demokratike rotacioni duhet të ndodh në forcat politike nëpërmjet votës. Ndërkohë, opozita e godet fortë SPAK, ndërkohë që duhet ta bënte aleatë të saj. Berisha e quan organizatë kriminale. Pas protestave në 2011 Rama hoqi dorë nga protestat e dhunshme dhe pas dy vitesh erdhi në pushtet sepse pa që duhet një model ndryshe’, tha ai.