
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së mbajtur në protestën kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë, deklaroi se edhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku “po i vjen ora”, duke e akuzuar atë dhe bashkëpunëtorët e saj për abuzime dhe korrupsion.
Në fjalimin e tij, Këlliçi u ndal te denoncimet e bëra nga opozita ndër vite, duke përmendur çështjen e grupit të ashtuquajtur “5D”.
Sipas tij, në fillim opozita ishte e vetme dhe pa mbështetje, ndërsa përballë kishte persona me pushtet dhe ndikim financiar.
“Kur denoncuam grupin kriminal 5D ishim shumë pak. Na thanë se nuk do t’ia dilnim, sepse kishin miliarda dhe ishin të frikshëm. Protestuam për 44 javë rresht, denoncuam dhe depozituam dosje pafund. Ku janë sot? Ata që blinin votat në Tiranë janë në burg bashkë me kryetarin e tyre”, deklaroi Këlliçi.
Ai theksoi se, sipas tij, e njëjta situatë po përsëritet edhe me Belinda Ballukun, duke kujtuar se opozita është sulmuar sa herë ka denoncuar aferat që lidhen me tunele, rrugë, projekte infrastrukturore, si edhe institucione si KESH dhe ARRSH.
“Na u turrën edhe për Ballukun. Na thoshin ‘Belinda mafia nuk preket’, se është më e fortë se Rama. Por ja ku po i vjen ora Ballukut dhe gjithë bandës së saj, me burgje, arrestime dhe ndjekje penale”, u shpreh deputeti i PD.
Në vijim, Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
“Këmbanat që po bien po u kujtojnë se pushteti nuk është i përjetshëm. Ky shesh sot nuk po kërkon, por po vendos. Shqiptarët nuk rrëzojnë shtetin, por abuzimin. Populli vendos dhe populli heq. Sot është vetëm fillimi”, tha ai, duke e mbyllur fjalën me thirrjen: “Dorëheqje Edi Rama!”