
Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi krijimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar, një lëvizje që ministri i djathtë i Financave tha të dielën, më 21 janar, se synonte parandalimin e krijimit të një shteti palestinez. Vendimi e çon numrin total të vendbanimeve të miratuara gjatë tre viteve të fundit në 69, sipas një deklarate nga zyra e Ministrit të Financave, Bezalel Smotrich.
Miratimet e fundit vijnë pak ditë pasi Kombet e Bashkuara deklaruan se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor – të cilat të gjitha konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – kishte arritur nivelin më të lartë të paktën që nga viti 2017.
“Propozimi i ministrit të Financave Bezalel Smotrich dhe ministrit të Mbrojtjes Israel Katz për të deklaruar dhe zyrtarizuar 19 vendbanime të reja në Jude dhe Samari është miratuar nga kabineti,” thuhej në deklaratë, pa specifikuar se kur u mor vendimi. Smotrich është një mbështetës i zëshëm i zgjerimit të vendbanimeve dhe vetë një kolon, shkruan Le Monde.
“Në terren, ne po bllokojmë krijimin e një shteti terrorist palestinez,” tha ai në deklaratë.
“Ne do vijojmë të zhvillojmë, ndërtojmë dhe banojmë tokën e trashëgimisë sonë stërgjyshore, me besim në drejtësinë e rrugës sonë.”
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar së fundmi atë që ai e përshkroi si zgjerim “të pandalshëm” të vendbanimeve të Izraelit në territorin e pushtuar. Kjo “vijon të nxisë tensionet, të pengojë qasjen e palestinezëve në tokën e tyre dhe të kërcënojë qëndrueshmërinë e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, demokratik, të vijueshëm dhe sovran,” tha ai në fillim të këtij muaji.