
Një gjykatë në Malajzi ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Najib Razak për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tij me burg në arrest shtëpie. Gjykata e Lartë e Kuala Lumpurit vendosi të hënën se një urdhër mbretëror, i cili do t’i kishte lejuar këtë masë, ishte i pavlefshëm pasi nuk ishte lëshuar në përputhje me kërkesat kushtetuese, përcjell DW.
Gjykata nuk e mohoi ekzistencën e urdhrit të lëshuar në vitin 2024 nga mbreti i asaj kohe, por theksoi se ai duhej të ishte konsultuar më parë me bordin e faljeve. Si pasojë, Najib Razak, 72 vjeç, do të vazhdojë të vuajë dënimin në burg për pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Ai pritet të lirohet në vitin 2028, pasi dënimi i tij fillestar prej 12 vitesh burg u përgjysmua.
Najib Razak po vuan dënimin për rolin e tij në një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë moderne, të njohur si skandali i fondit shtetëror 1Malaysia Development Berhad (1MDB).
Fondi u krijua në vitin 2009, kur Najib mori detyrën e kryeministrit, me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet. Megjithatë, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, nga viti 2009 deri në 2013, zyrtarë të lartë dhe bashkëpunëtorë të tyre vodhën mbi 4.5 miliardë dollarë nga fondi, duke i pastruar paratë përmes llogarive bankare në SHBA dhe vende të tjera.
Paratë u përdorën për shpenzime luksoze, përfshirë lojëra fati në kazinotë e Las Vegasit, financimin e një filmi hollivudian, si dhe blerjen e një avioni privat, jahti, vepra arti dhe bizhuteri të shtrenjta.
Pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2018, policia sekuestroi nga pronat e lidhura me Najib mbi 1,400 varëse, 567 çanta dore, 423 ora, 2,200 unaza, 1,600 brosha dhe 14 diadema, si dhe rreth 27 milionë dollarë cash, me një vlerë totale të vlerësuar prej 273 milionë dollarësh. Shumica e bizhuterive i përkisnin bashkëshortes së tij, Rosmah Mansor.
Në vitin 2020, Najib u dënua për shpërdorim detyre, shkelje të besimit dhe pastrim parash, në lidhje me transferimin e rreth 9.9 milionë dollarëve nga një degë e 1MDB në llogaritë e tij personale.
Ndërkohë, të premten pritet një vendim në një proces tjetër penal ndaj ish-kryeministrit. Gjykata do të shqyrtojë katër akuza për shpërdorim detyre, lidhur me përfitimin e mbi 700 milionë dollarëve nga 1MDB, si dhe 21 akuza për pastrim parash për të njëjtën shumë.
Nëse shpallet fajtor, Najib Razak rrezikon deri në 20 vite burg për secilën akuzë për shpërdorim detyre dhe deri në pesë vite burg për secilën akuzë për pastrim parash.