
Reagimi i një frikacaku që kërkon të blejë kohë i quajti kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi, deklaratat e kryeministrit Rama kundër SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme në podcastin e tij.
Ai shkruan se nëse Rama do kishte qenë i pastër, do duhet të kishte mbledhur menjëherë parlamentin dhe t’i hiqte imunitetin zv.kryeministres Balluku, e pandehur për 1.1 miliard euro tendera korruptivë.
“Frikë, panik dhe blerje kohe: reagimi i një kryeministri që e di se rrethi po i ngushtohet!
Reagimi i sotëm i Edi Ramës është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet. Ai është frikacak, sepse nuk përballet me akuzën, por sulmon ata që e hetojnë. Një kryeministër i pastër, pa lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, sot do të duhej të mblidhte me urgjencë Parlamentin dhe t’i hiqte imunitetin zëvendëses së tij, të pandehur për 1.1 miliardë euro tenderime korruptive.” – shkruan Bardhi.
Demokrati i përgjigjet Ramës se në vend që të ketë kureshtje për nxiximin e SPAK-ut, do ishte mirë të interesohej për “mollët dhe dardhat” që Balluku ka ngrënë pas shpinës së tij. Bardhi shton se Rama e di mirë se pas tenderave fshihet emri i tij.
“Pse nuk bëhet kurioz Edi Rama për “dardhat dhe mollët” që Belinda Balluku i ka ngrënë, por na u bëka kurioz pse SPAK-u po vepron shpejt? Sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush është porositësi i aferave korruptive të firmosura nga Belinda Balluku. Çështja “Balluku” nuk është rast i izoluar, por hallkë e një zinxhiri vendimmarrjeje që kalon nga zyra e Kryeministrit. Prandaj, Edi Rama kërkon të blejë kohë me një çështje në Gjykatën Kushtetuese, pa asnjë lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.” – shton Bardhi.
Në fund ai shkruan se kreu i qeverisë e di mirë se hetimi nuk do ndalet te Balluku po do arrijë deri te ai dhe për këtë arsye kërkon të blejë kohë.
“Edi Rama e di se hetimi nuk do të ndalet te zëvendësja e tij! Blerja e kohës është i vetmi shpëtim për kryeministrin nën shantazh dhe në panik. Një kryeministër i pafajshëm nuk frikësohet nga shpejtësia e drejtësisë. Një kryeministër i pastër nuk sulmon SPAK-un. Një kryeministër i drejtë nuk ndërton alibi proceduriale. Rrethi po ngushtohet. Dhe frika e Edi Ramës vjen nga ajo që tani drejtësia e di: se tenderat, koncesionet, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë rrugë me një kalim. Ajo të çon në zyrën apo shtëpinë e Edi Ramës!” – shkruan Bardhi në Facebook.