Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi publikon pjesë nga dosja e AKSHI-t: Rama ka rënë në rrjetën e drejtësisë


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar pjesë nga ajo që e cilëson si “dosja e AKSHI-t”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përfshirje në një skemë të rëndë korruptive që, sipas tij, ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj Buxhetit të Shtetit.

Në reagimin e tij publik, Bardhi deklaron se dosja e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) provon një skemë korrupsioni të ndërtuar mbi paracaktimin e kritereve, përzgjedhjen e fituesve të tenderëve, dyfishimin e fondit limit dhe ndarjen e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit kontraktor.

Sipas tij, kjo skemë nuk përbën raste të izoluara, por është “model qeverisjeje”.

Bardhi shprehet se, sipas të dhënave të hetimit të SPAK, vetëm për një periudhë 9-mujore, nga 11 dhjetori 2024 deri më 26 shtator 2025, Ergys Agasi ka përfituar rreth 30.2 milionë euro përmes asaj që ai e quan “taksë korrupsioni”, vetëm nga fondet e AKSHI-t.

Ai shton se bëhet fjalë për një tender sekret me fond limit prej 60 milionë eurosh.

Sipas Bardhit, logjika e ndjekur në këto procedura ka qenë rritja artificiale e fondit limit, në mënyrë që diferenca të përdoret për korrupsion: “Nëse shërbimi kushton 2 milionë euro, fondi limit bëhet 4 milionë. Taksa e korrupsionit merret nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga fitimi i kompanive private”, thuhet në deklaratë.

Ai e cilëson situatën si “genocid ndaj Buxhetit të Shtetit”, duke argumentuar se kjo është arsyeja pse, sipas tij, nuk ka fonde për rritjen e pensioneve dhe pagave, për shpërblime për fundvit për punonjësit e shtetit apo për ndihmë ndaj shtresave në nevojë.

 

Reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Largimi i tij i menjëhershëm është shpëtimi i vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka kryer genocid ndaj Buxhetit të Shtetit dhe parave të qytetarëve shqiptarë!

Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.

Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.

Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.

Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo”!