Vendosni fjalën kyçe....

Kërkoi të pyetej për “21 janarin”, Meta përfundon dëshminë në SPAK


Ish-presidenti Ilir Meta ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 Janarit, ku para godinës së Kryeministrisë u vranë katër protestues gjatë demonstratës së opozitës së asaj kohe.

Meta u mor në pyetje nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të caktuar nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu. Ai ishte paraqitur në SPAK me kërkesën e tij, duke shprehur gatishmërinë për të dhënë shpjegime, me argumentin se postet shtetërore që ka mbajtur i japin dijeni që mund t’i shërbejnë hetimit.

Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka marrë më herët dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi, si dhe të zyrtarëve të tjerë. Ngjarja e 21 janarit, 15 vite më parë, u shënua nga vrasja e katër protestuesve nga Garda e Republikës: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.