Vendosni fjalën kyçe....

“Siguria kombëtare e shteti ligjor janë rrënuar Rama e përdori shtetin në funksion të krimit” – Balliu


Klevis Balliu, në një deklaratë për mediat, u shpreh se siguria kombëtare dhe shteti ligjor në Shqipëri janë rrënuar.

Duke iu referuar skandaleve të fundit dhe aksionit të SPAK në AKSHI, Balliu deklaroi se biznesmenë dhe operatorë ekonomikë janë kërcënuar, shantazhuar dhe intimiduar përmes segmenteve të inkriminuara të policisë, të cilët, sipas tij, i kanë dërguar ata te eksponentë të njohur të krimit të organizuar me qëllim që t’i detyrojnë të tërhiqen nga tenderat publikë.

Ai theksoi se këto veprime tregojnë kapjen e shtetit dhe përdorimin e strukturave shtetërore në funksion të interesave kriminale. Balliu gjithashtu u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës së Partisë Demokratike më 22 dhjetor, duke shtuar se rezistenca demokratike është e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund këtij regjimi.

“Sot, siguria kombëtare dhe shteti ligjor në Shqipëri janë realisht të shembura. Është faktuar përfundimisht se AKSHI, në vend që të shërbejë si një institucion kyç për sigurinë kombëtare dhe transparencën e shtetit, është shndërruar në një instrument që lehtëson pastrimin e parave të drogës dhe vihet në shërbim të interesave të krimit të organizuar.

Biznesmenë dhe operatorë ekonomikë janë kërcënuar, shantazhuar dhe intimiduar përmes segmenteve të inkriminuara të policisë, duke u dërguar te eksponentë të njohur të krimit të organizuar, me qëllim detyrimin e tyre për t’u tërhequr nga tenderat publikë. Fondet e qytetarëve janë devijuar në mënyrë të organizuar dhe kriminale drejt klientëve të pushtetit dhe strukturave të lidhura me bandat.

Shteti ka rënë sepse institucione jetike për sigurinë dhe ekonominë e vendit funksionojnë në koordinim me individë të lidhur drejtpërdrejt me kryeministrin, të cilët vendosin se kush përfiton paratë publike dhe cilat grupe kriminale kontrollojnë tenderat dhe sektorë të tërë të ekonomisë. Kjo është kapje totale e shtetit.

Një nivel i tillë korrupsioni dhe infiltrimi i krimit në majat e qeverisjes nuk ka precedent. Kjo situatë ka shkatërruar shtetin e së drejtës, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

Krimi i organizuar është kthyer në shtyllën kryesore që mban në këmbë pushtetin e Edi Ramës. Kjo është arsyeja pse sot nuk ka siguri për qytetarët e ndershëm, nuk ka barazi para ligjit dhe nuk ka drejtësi reale.

Sot, Edi Rama dhe narkopushteti i tij po bëjnë gjithçka për të garantuar paprekshmërinë e personave të lidhur me të, si Ergys Agasi dhe Belinda Balluku. Aferat korruptive të kësaj të fundit kanë pasur si mbikëqyrës dhe garant vetë Edi Ramën. Pikërisht për këtë arsye, narkopushteti është sulur hapur kundër ligjit dhe drejtësisë, për të mbrojtur pushtetaren që ka vjedhur paratë e shqiptarëve, sepse në ato afera është i përfshirë vetë kryeministri.

Përballë kësaj gjendjeje, reagimi qytetar është i pashmangshëm. Zgjidhja e vetme është rezistenca demokratike, paqësore dhe masive për rikthimin e shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies.

Më 22 dhjetor, ora 18:00,

qytetarët ftohen të bashkohen në një protestë paqësore përpara Kryeministrisë, kundër narkopushtetit dhe kapjes së shtetit.”