
Me debate është shoqëruar mbledhja e mbrëmjes së sotme në kryesinë e PD-së.
Kreu Berisha tha se analiza për rezultatet e 11 majit do lihet mbledhjen tjetër ndërsa tha se demokratët duhet të përgatiten për protesta të forta e grevë urie.
“A kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo nuk e kemi bërë, ne kemi bërë shumë protesta, mirë kemi bërë, kemi treguar muskuj. Kjo qeveri nuk u reziston kurrë 3 apo 5 mijë burrave, grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrisë dhe të mos e lëshojnë atë derisa të ikë. Për shkak të situatës emergjente të krijuar, detyrohemi që axhendën e parashikuar për sot ta shtyjmë për një mbledhje tjetër të afërt dhe të përqendrohemi në përgatitjen e përgjigjes që duhet t’i japim kësaj kalbësire që kundërmon në gjithë botën.” – vijoi Berisha.
Kryedemokrati shtoi më tej se opozita nuk do e lejojë kryeministrin Rama që t’i prekë edhe një fije drejtësisë me presione e shantazhe.
“Nëse e dëgjuat, çfarë tha. Nuk do ta kalojmë si rastet e tjera, por do bëjmë analizë të thelluar, e them këtë si udhëheqës i reformës të drejtësisë. Dhe ne i themi guxo, do bëjmë gjithçka që vend mbi tokë nuk të lëmë nëse ti përpiqesh të marrësh pushtetin minimal të drejtësisë. Nuk mundet që në të pranojmë një bandit, një hajdut, një njeri i cili u ka bërë shqiptarëve më të zeza se asnjë pushtues tjetër i egër dhe tani kur kërkohet të japë hesape. Në rastin e tunelit të Llogarasë, Lubia është shërbëtore e tij, ka firmosur ato që i ka thënë Rama. Ndaj edhe ky është kaq i angazhuar për mbrojtjen. Ajo masa ishte lehtësi, ajo duhet të ishte në arrest. Nuk e lëshon se ajo e merr me vete. Po nuk u ngritëm ne, nuk ikën ai.” – shtoi ai.