Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Lëvizja jonë synon ta bëjë PD-në fituese, jo poste personale



Deputeti Ervin Salianji zhvilloi një takim me demokratët në Elbasan, brenda pak ditësh nga një tjetër aktivitet politik i mbajtur në qytet. Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se nisma që ai përfaqëson nuk synon poste apo interesa personale, por, sipas tij, ka si qëllim ta bëjë Partinë Demokratike fituese.

“Shumë na pyesin pse e bëjmë këtë lëvizje. Ne po e bëjmë që PD të jetë fituese, jo për poste, jo për ofiqe, jo për interesa personale”, u shpreh Salianji para mbështetësve.

Ai ftoi demokratët të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për datën 22 dhjetor, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për opozitën. Sipas tij, protesta synon të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për, siç u shpreh, aferat e qeverisë.

“Ju ftoj të bashkohemi në protestë, për një zgjim kombëtar, më datën 22, për të kërkuar dorëheqjen e Ramës. Gjithë këtë energji në këtë sallë ta çojmë në shesh, para dyerve të Kryeministrisë”, tha Salianji.

Në deklaratën e tij, ai komentoi edhe zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike, duke thënë se debatet në strukturat drejtuese janë fokusuar më shumë te çështjet e brendshme sesa te kundërshtari politik.

“Në mbledhjen e fundit të kryesisë, 4 orë u bë gjyqi për mua dhe për demokratët, dhe vetëm 15 minuta për Ramën”, deklaroi Salianji.

Ai theksoi se, sipas tij, Partia Demokratike ka nevojë për ndryshime dhe pastrime të brendshme, duke nënvizuar se kriteri duhet të jetë rezultati dhe jo besnikëria personale.