
Protesta të shumta nga fermerët kanë goditur disa vende evropiane me më të mëdhatë që janë parë në Greqi, Francë e Belgjikë.
Në Greqi, fermerët protesotjnë prej disa ditësh. Ata kanë bllokuar, rrugë, porte e aeroporte ndërsa i kanë paraqitur qeverisë një listë më disa kërkesa. Edhe pse qeveria Mitsotakis ka plotësuar disa prej tyre, fermerët kanë qenë të palëkundur në plotësimin e të gjitha kërkesave.
Një ditë pas premtimeve të qeverisë, protestuesit vazhdojnë bllokimet në pikat kryesore kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke mbajtur të ndërprerë qarkullimin si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Ata kanë bllokuar të gjithë kamionët dhe kanë lejuar vetëm makinat e vogla dhe autobusët e udhëtarëve.
Shqetësimet janë shtuar edhe në Selanik, ku fermerët shprehen të pakënaqur pavarësisht angazhimeve të qeverisë, shkruan Kathimerini.
Në Francë e Belgjikë, fermerët e përfaqësuar nga sindikata ECVC, përfshirë organizata si FUGEA, Boerenforum, Confédération Paysanne, AbL dhe të tjera, u mobilizuan më 17 dhjetor në aeroportin e Liezhit për të protestuar kundër orientimit të politikave të Bashkimit Evropian mbi rregullimin e tregut dhe vendimeve që, sipas tyre, kërcënojnë bujqësinë e qëndrueshme nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe mjedisore.

Sipas fermerëve, bujqësia evropiane po vihet në rrezik nga tre zhvillime kryesore politike: marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Mercosur, Korniza Financiare Shumëvjeçare dhe propozimi për Politikën Bujqësore të Përbashkët pas vitit 2027. Ata theksojnë se në të gjitha këto raste, politikëbërësit po i japin përparësi interesave të agrobiznesit, lobeve industriale dhe sektorëve të tjerë, në kurriz të fermerëve që furnizojnë Evropën me ushqim.
Kjo qasje, sipas tyre, rrezikon jo vetëm familjet fermere, por edhe aftësinë e Bashkimit Evropian për të garantuar sovranitet ushqimor, çmime të drejta dhe një të ardhme për fermerët e rinj.
Fermerët shprehin kundërshtimin e tyre të plotë ndaj marrëveshjes BE-Mercosur, me ose pa klauzola mbrojtëse, duke argumentuar se ajo përkeqëson konkurrencën e pandershme, ul çmimet dhe përshpejton braktisjen e fermave evropiane.
Ata kërkojnë një Politikë Bujqësore të Përbashkët të fortë, me buxhet të mjaftueshëm dhe të rishpërndarë në favor të fermerëve të vegjël dhe të mesëm, një mbulim që respekton të drejtat e fermerëve dhe punëtorëve bujqësorë, si edhe të drejtën e qytetarëve për ushqim të shëndetshëm të prodhuar me respekt për mjedisin dhe mirëqenien e kafshëve.

Njëkohësisht, ata kundërshtojnë derregullimin e pesticideve, OMGJ-ve, farërave, rregullave të shpyllëzimit, taksave të karbonit dhe standardeve të tjera, duke theksuar se derregullimi nuk rrit të ardhurat e fermerëve dhe se nevojiten rregullim i tregut dhe standarde të forta sociale e mjedisore për të mbrojtur bujqësinë e qëndrueshme dhe komunitetet rurale.
Fermerët bëjnë thirrje gjithashtu për garantimin e përtëritjes së gjeneratave, duke paralajmëruar se pa çmime të drejta, rregullim tregu dhe mbështetje publike të përshtatshme, Evropa rrezikon të humbasë brezin e ardhshëm të fermerëve. Sipas tyre, politikat e BE-së duhet t’u mundësojnë të rinjve të hyjnë në sektor, të qëndrojnë dhe të jetojnë nga bujqësia.
Mobilizimi i 17 dhjetorit lidhet drejtpërdrejt me faktin se më 18–19 dhjetor Këshilli Evropian pritet të marrë vendime mbi marrëveshjen BE-Mercosur, buxhetin e MFF-së dhe reformën e CAP-it, vendime që do të përcaktojnë të ardhmen e sistemeve ushqimore në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, ECVC u bën thirrje anëtarëve të saj dhe fermerëve në mbarë Evropën të bashkojnë forcat dhe të shprehin qartë kundërshtimin ndaj marrëveshjes BE-Mercosur dhe derregullimit, si dhe mbështetjen për çmime të drejta, rregullim të tregut, një CAP të fortë dhe një model bujqësor të qëndrueshëm që garanton të ardhme për fermerët e rinj, shkruan Viacampesina.