Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Përgjimet e Ballukut implikojnë drejtpërdrejt Ramën në vendimmarrjen për tenderat


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me komunikimet e zbardhura të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi deklaron se nga përgjimet e Ballukut përmendet haptas emri i kryeministrit Edi Rama si figurë kyçe dhe përcaktuese në vendimmarrjen për tenderat publikë.

Sipas deputetit demokrat, këto komunikime përbëjnë atë që ai e cilëson si “provë përfundimtare” për përfshirjen e kreut të qeverisë në aferat korruptive.

“Në përgjimet e të pandehurës Belinda Balluku, përmendet haptas emri i kryeministrit si përcaktuesi i vërtetë i tenderave”, shkruan Këlliçi, duke shtuar se edhe vetë Balluku, sipas tij, shfaq pakënaqësi që disa afera janë zhvilluar pa dijeninë e saj.

Sipas deputetit të PD-së, kjo tregon një mënyrë funksionimi që i ngjan një strukture të organizuar kriminale.

“Kjo tregon se përveç Belinda Ballukut, ka edhe një aktor tjetër akoma më të fuqishëm në vendimmarrjen për grabitjen e fondeve publike. Ai është Edi Rama”, thekson Këlliçi në reagimin e tij.

Ai nënvizon se heqja e imunitetit të Ballukut dhe kufizimi i mundësisë së saj për të ndikuar në prishjen e provave duhet të jetë vetëm hapi i parë i procesit. Sipas tij, kjo çështje duhet të pasohet nga dorëheqja e kryeministrit dhe një hetim i thelluar dhe i plotë ndaj tij.

“Pashmangshmërisht, kjo duhet të pasohet nga dorëheqja dhe hetimi i thelluar i kryeministrit të vendit”, shkruan deputeti demokrat, duke shtuar se, sipas tij, Edi Rama meriton të ketë të njëjtin fat ligjor si Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, jo vetëm si bashkëpunëtor, por si drejtues i asaj që ai e quan një organizatë të strukturuar korrupsioni.

Në fund të reagimit, Këlliçi u bën thirrje qytetarëve të reagojnë, duke e lidhur situatën politike me protestën e njoftuar nga opozita më 22 dhjetor.

 “Ju takon qytetarëve shqiptarë të thonë fjalën e tyre”, përfundon ai.