
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga Sali Berisha lidhur me organizimin e takimeve të tij në Elbasan dhe përmendjen e emrit të Suel Çela.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji i cilësoi këto akuza si “dëshmi të mjerimit politik”, duke theksuar se ato janë të pavërteta dhe se takimet në Elbasan janë zhvilluar me strukturat vitale të Partisë Demokratike.
“Akuzat imagjinare se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik, veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta”, shkruan Salianji.
Ai thekson se forca e tij politike ka qenë gjithmonë mbështetja e qytetarëve dhe përballja direkte me krimin dhe korrupsionin, duke shtuar se për këtë arsye është sulmuar vazhdimisht.
“E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara. Forca ime e vetme janë personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve”, shprehet ai.
Salianji ndalet edhe te situata e brendshme në PD, duke renditur një sërë problematikash që, sipas tij, demokratët kërkojnë të adresohen, nga humbjet e njëpasnjëshme dhe mosmbajtja e fjalës, te promovimi i humbësve serialë dhe pafuqia për të përballur qeverinë përmes protestave.
Në reagimin e tij, ish-deputeti vendos edhe atë që e quan “vijë e kuqe” për opozitën.
“Unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit. Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës”, thekson Salianji.
Në përfundim, ai deklaron se do të vijojë rrugën e tij politike pa u ndalur.
“Kam vazhduar dhe do të vazhdoj takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën. Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion”, përfundon Salianji.