Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja do votojë për të ndihmuar grave të abortojnë në vendet evropiane ku lejohet


Parlamenti Evropian pritet të votojë të mërkurën një skemë që do t’u mundësonte grave nga shtetet anëtare që kufizojnë abortin të abortojnë në një vend tjetër të Bashkimit Evropian pa asnjë kosto.

Nisma qytetare “Zëri im, Zgjedhja ime” parashikon krijimin e një fondi nga buxheti i BE-së për të mbuluar procedurat për persona që vijnë nga vende me ndalime pothuajse totale, si Malta dhe Polonia, ose nga shtete ku aborti është i vështirë për t’u aksesuar, si Italia dhe Kroacia.

Edhe pse prirja e përgjithshme në Evropë ka qenë drejt zgjerimit të qasjes në abort, me Britaninë e Madhe që e ka dekriminalizuar atë dhe Francën që e ka përfshirë si të drejtë kushtetuese, paralelisht është rritur mbështetja për partitë e djathta, shumë prej të cilave e kundërshtojnë abortin.

Nismëtarët, mes tyre aktivistë për të drejtat e abortit dhe eurodeputetë nga e majta deri te qendra e djathtë, argumentojnë se skema do ndihmonte në uljen e praktikave të pasigurta dhe do t’u jepte mbështetje grave që nuk kanë mundësi financiare për të kryer procedurën jashtë vendit.

Nga ana tjetër, kritikët, përfshirë eurodeputetë të djathtë e kundërshtojnë propozimin duke argumentuar se ai ndërhyn në ligjet kombëtare dhe bie ndesh me vlerat tradicionale të krishtera.

Nëse kalon, Komisioni Evropian do ketë afat deri në muajin mars për të vendosur nëse do ta pranojë ose jo propozimin, ndonëse nisma të tjera qytetare deri tani nuk kanë arritur të konkretizohen.

Gjatë fazës paraprake, kundërshtarët e skemës kanë organizuar aktivitete së bashku me federatën kundër të drejtave të abortit “One of Us” dhe me Qendrën Evropiane për Ligjin dhe Drejtësinë, një degë e Qendrës Amerikane për Ligjin dhe Drejtësinë, e cila ndjek çështje gjyqësore që lidhen me abortin, përfshirë përmbysjen e vendimit historik “Roe vs. Wade” nga Gjykata e Lartë e SHBA-së në vitin 2022.

Këto grupe organizuan dy konferenca brenda Parlamentit Evropian, ku kritikuan propozimin dhe ushtruan presion ndaj Komisionit Evropian që të përqendrohet më shumë në mbështetjen e maternitetit sesa në abortin.

Në një debat parlamentar para votimit, eurodeputetja Elisabeth Dieringer nga grupi i djathtë “Patriotët për Evropën” deklaroi se dërgimi i grave në vende me politika më liberale për abortin përbën një sulm ndaj rendit kombëtar, duke e cilësuar këtë qasje si një abuzim ideologjik të pushtetit që, sipas saj, nuk duhet të pranohet në nivel të Bashkimit Evropian, shkruan Reuters.