
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet sot në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, dhe gjatë një interviste për median e huaj ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe perspektivën europiane të vendit. Ajo ka theksuar se fati i Kosovës është Bashkimi Evropian dhe se anëtarësimi është një objektiv strategjik i vendit.
Osmani ka theksuar se Kosova ka kontribuar në mënyrë aktive në vlerat europiane dhe, sipas saj, nëse kriteri bazë mbi meritën do të përdorej, Kosova do të ishte tashmë lider në rajon. “Edhe pse procesi është kompleks për shkak të pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën, ne shpresojmë që shpejt do të jemi në tryezën e Këshillit të BE-së. Bashkimi Evropian nuk do të përfitojë vetëm popullsia e Kosovës, por kjo ka rëndësi strategjike për tërë kontinentin,” ka thënë Osmani.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar progresin e vendit në sundimin e ligjit, duke u bazuar në indekset ndërkombëtare, ku Kosova renditet e para në Evropë për sundimin e ligjit dhe e treta në botë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Presidentja ka përmendur gjithashtu sukseset në reformat ekonomike dhe administrative, duke theksuar se Kosova është më e avancuara në rajon në këto fusha, edhe pse ka ende disa “detyra shtëpie” për t’u përfunduar.
Në lidhje me politikën e jashtme dhe sigurinë, Osmani ka deklaruar se Kosova është 100% në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe masat kundër keqbërësve të botës perëndimore. Ajo ka theksuar se këto rezultate tregojnë përkushtimin e institucioneve kosovare në avancimin e standardeve europiane dhe përgatitjen e vendit për integrim të plotë në BE.
Ky samit vjen në një moment kyç për perspektivën europiane të Kosovës, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të forcojnë lidhjet politike dhe ekonomike me Bashkimin Evropian dhe të avancojnë procesin e integrimit rajonal.