Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut


Katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së dhe riktheu në detyrë zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, SPAK vihet në lëvizje dhe i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.

Për të vendosur Ballukun në masë arresti me burg ose arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të deputetit, kërkesë që tashmë është depozituar në Parlament.

SPAK informon Kuvendin se Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Numri 2 i qeverisë është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, ndërkohë në hetim është vënë për të 7 tenderët e Unazës së Madhe me vlerë 490 mln euro.

Kërkesa e SPAK, sipas rregullores së Kuvendit duhet t’i vendoset menjëherë në dispozicion 10 anëtarëve të Këshillit të Mandateve. Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve përgatit një raport, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare.

Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

 

Njoftimi i SPAK:

SPAK i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministrit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.