
Ministrat për çështjet evropiane kanë miratuar konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit, ku vlerësohet ecuria e shpejtë e vendit tonë në hapjen e të gjithë grupkapitujve.
Sa i përket Shqipërisë, thuhet më tej se përparimi në mbylljen e kapitujve është sfidues dhe do të përcaktojë drejtimin e gjithë procesit. Merita për këto arritje komisionerja Marta Kos ia jep qeverisë Rama.
“Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e kjo është bërë më pak se 13 muaj. Ky sukses është me të vërtetë provë e lidershipit qeveritar shqiptar, i cili po bën gjithçka që është e mundur për të përshpejtuar procesin e negociatave. Sigurisht kjo është e një provë se qeveria shqiptare po bën në të vërtetë më të mirën për qytetarët e saj”, u shpreh Kos.
BE ka mirëpritur edhe përparimin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me reformën në drejtësi dhe, në veçanti, falë punës së SPAK-ut. Autoriteteve shqiptare u bëhet thirrje që të përfundojnë reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në konkluzionet që do të marrin në fundjavë edhe miratimin e 27 liderëve të BE-së, u bëhet thirrje shteteve kandidate që të shfrytëzojnë këtë moment për të realizuar të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin në rrugën drejt BE-së.
Përveç përgatitjeve të nevojshme nga ana e vendeve kandidate, përmendet edhe nevoja e përgatitjes së vetë BE-së për të pritur anëtarë të rinj. Sa u përket vendeve të Ballkanit, përmendet edhe rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.