
Dy banka të reja pritet që ti shtohen së shpejti sistemit bankar shqiptar, Zirat bank dhe banka digitale, JET Bank, duke e çuar numrin e bankave në vend në 13. Po cilët janë aksionerët e këtyre bankave të reja?
Ziraat Bank
Në muajin gusht, Banka e Shqipërisë dha miratimin paraprak për licencimin në Shqipëri të degës së bankës më të madhe në Turqi, Ziraat.
Ziraat do të bëhet banka e dytë me kapital turk në Shqipëri, pas bankës më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), zotëruar nga grupi turk i biznesit, Çalik. Megjithatë, ndryshe nga Çalik, Ziraat është një investitor institucional i specializuar në sektorin bankar.
Ziraat Bank (në turqisht Banka Bujqësore) është bankë me kapital shtetëror turk. 100% e aksioneve zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, fond publik në pronësi të shtetit të Turqisë.
Duke qenë një bankë me kapital shtetëror, hyrja e Ziraat në Shqipëri mund të lexohet edhe në këndvështrimin e interesit gjeopolitik të Turqisë për të rikthyer influencën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ziraat e ka origjinën e saj qysh në shekullin e 19-të, në epokën e Perandorisë Osmane.
Ajo u themelua në vitin 1863, fillimisht si një fond kooperativ për financimin e bujqësisë, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë, me emrin që mban edhe sot, Ziraat.
Aktualisht, Ziraat Bank është banka më e madhe në Turqi, ku mban afërsisht 16.5% të tregut, me asete totale për një vlerë prej rreth 133 miliardë USD, në fund të vitit 2024.
Në bilancin e konsoliduar, në nivel grupi (duke përfshirë edhe bankat dhe kompanitë e tjera të zotëruara prej saj brenda dhe jashtë Turqisë), Ziraat raporton asete totale për afërsisht 147 miliardë USD.
Përveç bankave dhe kompanive financiare në Turqi, Ziraat zotëron banka të kontrolluara prej saj në Gjermani, Rusi, Kazakistan dhe një sërë vendesh të Kaukazit apo të ish-republikave të ish Bashkimit Sovjetik në Azinë Qëndrore.
Ndërkaq, Ziraat Bank është një aktor prezent në zonën e Ballkanit Perëndimor me Banka operative prej vitesh në Bosnje Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë.
Banka turke është e pranishme me degët e saj (që nuk veprojnë si banka të ndara) dhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrein, ndërsa ka zyra përfaqësie edhe në Emiratet e Bashkuar Arabe dhe në Egjipt.
Nga informacionet në treg Banka Ziraat është në faza të avancuara të përgatitjes së premisat ku do ofrojë shërbimin , marrjen e stafit dhe të ngritjes së sistemit.
Duke qënë një Bankë me kaq peshë në Turqi e një prezencë rajonale dhe ndërkombëtare mendohet të jetë një konkurrente sidomos ndaj bankave rajonale si RZB apo OTP me ofrimin e shërbimeve për tregjet ku ajo ka prezencë direkte, por edhe ndaj bankës së vetme turke aktive deri tani në Shqipëri, BKT për marrjen e klientelës së biznesit turk të vendosur në Shqipëri.
JET Bank
Banka e Shqipërisë vendosi në fillim të këtij muaji të japë miratimin paraprak për licencimin e bankës JET Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.
Ndryshe nga të gjitha bankat e licencuara ose të blera në 20 vitet e fundit, aksionar kontrollues në bankën e re, të paktën deri në këtë moment, nuk është një shoqëri tregtare, por një individ.
Sipas Bankës së Shqipërisë dhe ekstraktit zyrtar të shoqërisë, në momentin e aplikimit për licencë kompania Jet Albania (JET Bank) zotërohej nga shtetasi me pasaportë britanikre Idan Avishai. Avishai është i prezantuar ligjërisht si shtetas britanik, i lindur në Hadera të Izraelit, në 8 janar 1980. Kapitali fillestar i regjistruar i kompanisë është vetëm 3.5 milionë lekë.
Idan Avishai ka mbajtur deri tani një profil të ulët dhe informacioni publik rreth tij është i pakët.
Ndërkohë, përvoja e deritanishme e aksionarit zyrtar të JET Bank, Idan Avishai, sipas profilit të tij në rrjetet profesionale, është e lidhur kryesisht me aktivitetin e platformave të tregtimit online ose siç njihen në zhargonin financiar “platforma forex”.
Në një nga platformat profesionale, Idan Avishai, i prezantuar si pjesë e Leader Capital-Online CFD, e përshkruan veten si “një profesionist inovativ dhe me përvojë në marketing me një përvojë të fortë në sektorët e tregtimit online, duke përfshirë Kontratat për Diferencë (CFD) dhe këmbimin valutor (forex). Ai është gjithmonë në kërkim të sipërmarrjeve të reja emocionuese online CFD dhe forex, duke demonstruar angazhimin e tij për të avancuar peizazhin e tregtimit. Ai më parë ka mbajtur rolin e Drejtorit të Marketingut në Interlogic, ku luajti një rol vendimtar në udhëheqjen e strategjive të marketingut që përputheshin me vizionin dhe qëllimet e kompanisë. Me një fokus në marketingun dixhital dhe një pasion për financat, Idan ka lundruar me sukses në botën dinamike të tregjeve të tregtimit online. Ekspertiza e tij qëndron në zhvillimin e fushatave gjithëpërfshirëse të marketingut të dizajnuara për të angazhuar tregtarët dhe investitorët, duke nxitur njëkohësisht besnikërinë ndaj markës brenda industrisë konkurruese të tregtimit. Aftësitë e tij për të analizuar trendet e tregut dhe sjelljen e konsumatorit kanë hapur rrugën për strategji me ndikim dhe të bazuara në të dhëna që rezonojnë në mjedisin financiar me ritëm të shpejtë. Me vite përvojë në karrierën e tij, Idan Avishai vazhdon të shtyjë kufijtë duke eksploruar zgjidhje inovative të marketingut të përshtatura për tregtimin CFD dhe forex, duke kërkuar gjithmonë të rrisë angazhimin e përdoruesve dhe të përmirësojë përvojat e tregtimit,” thuhet në profilin e tij.
Madje, njëra prej platformave të lidhura, që vepronte fillimisht me emrin FXLider dhe më pas Fortrade, u raportua publikisht në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për ushtrimin e aktivitetit financiar të palicencuar në Republikën e Shqipërisë.
https://amf.gov.al/news.asp?id=12002
Në regjistrin e bizneseve të Britanisë së Madhe, shtetasi Idan Avishai, i datëlindjes janar 1980, rezulton gjithashtu aksionar dhe drejtor në S.O.N MANAGEMENT LTD, kompani e regjistruar në vitin 2017, me objekt kryesor aktiviteti menaxhimin dhe konsulencën në aktivitete jashtë menaxhimit financiar.
Informacioni i pakët i disponueshëm rreth aksionarëve ngre natyrshëm pikëpyetje lidhur me përvojën, reputacionin dhe kapacitetet financiare për të përballuar si aksionar i vetëm ngritjen e një banke tregtare, gjithësesi marrja e një license paraprake për hapjen e Bankës nga Banka e Shqipërisë, flet edhe për përmbushjen e kritereve të kërkuara në këtë aspekt të rëndësishëm nga ana e aplikuesit.
“Monitor” iu drejtua JET Bank me një kërkesë për informacion të mëtejshëm rreth aksionarit të saj, por pa marrë një përgjigje, deri në këtë moment.
Licencimi i JET Bank përfaqëson një shmangie nga politikat e deritanishme të licencimit të ndjekura nga Banka e Shqipërisë, që prej vitesh kanë përjashtuar mundësinë e dhënies së licencave apo aprovimit të blerjes së bankave nga aksionarë pa përvojë në sektorin financiar, në përputhje edhe me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
JET Bank ishte subjekti i dytë që mori këtë vit miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë për të hyrë në tregun bankar, pas bankës turke Ziraat.
Këto licencime po sjellin një tendencë të re zgjerimi të numrit të aktorëve në tregun bankar shqiptar. Pas vitit 2015, tregu bankar shqiptar ka hyrë në një cikël përqendrimi, që solli uljen e numrit të bankave tregtare nga 16 në 11 të tilla.
Me përjashtim të Bankës së Kreditit të Shqipërisë, që doli nga tregu nëpërmjet likuidimit, zvogëlimi i numrit të bankave ka ardhur nëpërmjet blerjes dhe përthithjes nga bankat konkurrente në treg. Etapa e fundit në këtë proces u zhvillua në vitin 2022, kur Alpha Bank Albania u ble dhe u përthith nga Banka OTP Albania.
Por, rritja e shpejtë e sektorit në vitet e fundit dhe përmirësimi i treguesve të përfitueshmërisë duket se e ka bërë atë tërheqës edhe për hyrjen e aktorëve të rinj. Me dhënien e miratimit paraprak për JET Bank dhe Ziraat, vitin e ardhshëm pritet që numri i bankave tregtare në vend do të rritet në 13.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor