Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Mbështes protestën e “Shqipëria Bëhet”, vetëm të bashkuar mund ta rrëzojmë qeverinë


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka deklaruar se mbështet protestën e organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet” dhe ka dënuar veprimet e policisë ndaj aktivistëve, pak para nisjes së protestës së opozitës përpara Kryeministrisë.

Para fillimit të protestës së PD-së, të lajmëruar në orën 18:00, policia ka spostuar Adriatik Lapajn dhe aktivistët e “Shqipëria Bëhet” pranë Kuvendit, në zonën pranë Parlamentit, për t’u lënë hapësirë simpatizantëve të opozitës. Ky veprim u shoqërua me reagime dhe tensione në terren.

Duke folur nga foltorja e demokratëve, Zhupa theksoi se sheshi është hapësirë publike dhe u përket të gjithëve, ndërsa nënvizoi se vetëm përmes bashkimit qytetar mund të arrihet ndryshimi politik.

“Keni zgjedhur të qëndroni, keni zgjedhur të protestoni e të flisni në emër të shqiptarëve që protestojnë çdo ditë për gjendjen e tyre, por nuk kanë gjetur ende kurajën të na bashkohen. Mbështes edhe protestën e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe dënoj dhunën e policisë, sepse sheshi është i të gjithëve”, u shpreh Zhupa.

Deputetja e PD-së u ndal gjithashtu te vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet shqiptare, duke kritikuar politikat e qeverisë dhe mënyrën se si, sipas saj, miratohen ligjet dhe Buxheti në Kuvend nga mazhoranca.

Në përfundim të fjalës së saj, Ina Zhupa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së radhës së Partisë Demokratike, e cila pritet të mbahet më 22 dhjetor, duke theksuar se vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe unitetit mund të ushtrohet presion real ndaj qeverisë.