Vendosni fjalën kyçe....

Qeleshi: Rama ngriti konflikt kompetencash, gjyqtarët e Kushtetueses që hoqën pezullimin e Ballukut shkruan vetëm një fjali


Joana Qeleshi, kryetare e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, pohoi mbrëmjen e sotme se nuk e priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv.kryeministres Belinda Balluku.

E ftuar në News24, ajo theksoi se vendimet e gjykatave duhet të respektohen por shtoi se ndërsa vendimi i gjykatësve që ishin kundër heqjes së pezullimit e kanë argumentuar mirë atë, ata që votuan pro heqjes së pezullimit kanë shkruar vetëm një fjali.

“Kryeministri ka ngritur një konflikt kompetencash. Çdo qytetar sa kohë nuk ka vendim të formës së prerë prezumohet i pafajshëm. Masa e sigurisë e marrë ndaj Ballukut është një masë ndaluese. Edhe Balluku ka ankimuar masën në Apelin e Gjykatës së Posaçme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e masës së sigurisë ishte e papritur sepse nuk ka asnjë precedent të tillë. Vendimi i shumicës ka vetëm një fjali, ndërsa mendimi i pakicës ishte më i argumentuar, ishte tre faqe. Thuhet në të që nuk ka një precedent tjetër mes të tjerash ndërsa nuk sqarohet nga shumica se cilat janë pasojat që sjell mos qëndrimi i Ballukut në detyrë. Mund të ishin ndjekur shkallët e gjyqësorit.” – tha Qeleshi.

“E duhur apo jo, vendimet e gjykatave janë vendime që duhet të respektohen. Pesonalisht nuk e kam pritur një vendim të tillë se në fazën e parë të pezullimit, kuptohej që do të ishte një vendim që do të shihej nëse çështja do të shkonte në seancë plenare. Paraprakisht sa kohë kemi një pezullim të një vendimi gjykate, ajo që do të ndodhë në seancë, ka një hapje të çështjes apo pritshmërive si mund të vijojë ajo. Balluku është mirëfilli në detyrë. Gjykata Kushtetuese duke pezulluar vendimin e GJKKO ka kthyer në detyrë Ballukun me argumentimin se pezullimi sjell pasoja të rëndësishme në funksionimin e Këshillit të Ministrave. Deri në datën 22 apo edhe më tej nëse seanca e datës 22 do të shtyhet, Balluku do të jetë në detyrë më kompetenca të plota si ministre dhe zëvendëskryeministre”, shtoi Qeleshi.