
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të rrufeshme të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në qytetin bregdetar Safi, në Marok, përcjell DW.
Sipas autoriteteve, vetëm një orë reshje intensive të dielën mjaftuan që masa të mëdha uji dhe balte të përmbytinin dhjetëra banesa dhe dyqane, të merrnin me vete automjete dhe të ndërprisnin qarkullimin në shumë rrugë të qytetit, i cili ndodhet rreth 300 kilometra në jug të Rabatit.
Autoritetet njoftuan se 32 persona janë plagosur, shumica e të cilëve janë liruar tashmë nga spitalet. Të paktën 70 banesa dhe biznese në qytetin e vjetër të Safit janë përmbytur nga uji.
Niveli i ujit nisi të bjerë mbrëmjen e së dielës, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan kërkimet për viktima të mundshme të tjera.
Ndërkohë, shërbimi meteorologjik ka paralajmëruar se reshje të tjera të dendura priten të martën në disa zona të vendit.
Maroku po përjeton reshje të forta shiu dhe dëborë në malet Atlas, pas shtatë vitesh radhazi thatësire të rëndë, e cila ka lënë të zbrazëta disa nga rezervuarët kryesorë të ujit në vend.