
Emigrantët kanë sjellë më shumë se 8.2 miliardë euro brenda dekadës së fundit. Ky vit ka
Rritja e diasporës shqiptare po shton remitancat në vend. Në 9-mujorin e këtij viti është regjistruar një tjetër rekord sa i takon dërgesave të emigrantëve për të afërmit e tyre në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë thotë se nga janari deri në shtator, vlera e remitancave arriti në 817 milionë euro, ose 45 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë vjet.
Vetëm në tremujorin e tretë të vitit që përkon edhe me sezonin veror, dërgesat e emigrantëve përmes transfertave arritën në 285 milionë euro, më e larta e dërguar ndonjëherë në një periudhë tremujore.
Por kjo vlerë është shumë më e lartë pasi një pjesë e konsiderueshme parash vjen në cash, për shkak të kthimit të shqiptarëve për pushime në vend.
“Gjatë periudhës u evidentua rritje si në dërgesat përmes kanaleve formale, ashtu edhe në prurjet në cash, duke reflektuar besim të qëndrueshëm të emigrantëve në ekonominë vendase”, thotë Banka e Shqipërisë, shkruan Shqiptarja.
Emigrimi që nga njëra anë është kthyer në problem serioz për tregun e punës, nga ana tjetër po mban me para gati 1/3 e familjeve shqiptare. Vetëm në dekadën e fundit 2015-2025, dërgesat e emigrantëve për të afërmit e tyre kanë arritur në 8.2 miliardë euro duke pasur një kontribut të rëndësishëm edhe në uljen e varfërisë në vend.
Por vlera e remitancave nuk më e njëjtë si para 1 dekade, monedha evropiane është tkurrur me 30%, duke prekur direkt edhe paratë e emigrantëve. Nëse në vitin 2015, euro këmbehej me deri 140 lekë, sot vlera e saj është 96 lekë, duke zhvlerësuar direkt edhe vlerën e remitancave, kur kthehen nga euro në lekë.
DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Janar-Shator 2024 772 mln euro
Janar-Shator 2025 817 mln euro
DIFERENCA +45 mln euro
DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Korrik-Shator 2024 262 mln euro
Korrik-Shator 2025 285 mln euro
DIFERENCA +23mln euro