
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar se opozita shqiptare gëzon sot mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që ka pasur ndonjëherë, duke denoncuar njëkohësisht atë që e cilësoi si regjim autokratik të kryeministrit Edi Rama dhe përkeqësimin e situatës së demokracisë dhe medias në vend.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e demokratëve përpara Kryeministrisë, Vokshi tha se ka përcjellë shqetësimet për Shqipërinë në forume të shumta ndërkombëtare, nga Brukseli në Uashington, ku sipas saj është evidentuar qartë realiteti politik në vend.
“Jam këtu për të përcjellë përshëndetjet më të ngrohta nga qindra miq dhe mbështetës të lirisë dhe demokracisë nga e gjithë bota. Kemi gjetur mbështetje maksimale. Sot propaganda nuk e fsheh më realitetin autokratik nën regjimin e Edi Ramës, i cili po denoncohet hapur në çdo forum ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Vokshi theksoi se në 22 nëntor, në Sao Paolo, kryetari i Partisë Demokratike u zgjodh nënkryetar i CDI-së me votë unanime, duke u vlerësuar për rolin e tij historik në rrëzimin e komunizmit dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se në asamblenë e CDI-së u miratua një rezolutë ku zgjedhjet e 11 majit u cilësuan si jo të lira dhe jo të ndershme, duke i konsideruar një farsë elektorale, të shoqëruar me drejtësi selektive dhe keqpërdorim të liderëve të opozitës. Sipas saj, këtë qëndrim e ka mbështetur edhe Partia Popullore Europiane.
“Në Uashington u miratua me votë unanime një tjetër rezolutë që flet për shkelje sistemike zgjedhore, drejtësi selektive ndaj opozitës dhe lidhje mes shtetit dhe krimit”, tha Vokshi.
Deputetja e PD-së deklaroi se në Paris, në kuadër të procesit të postmonitorimit, ka denoncuar përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri, duke përmendur mbylljen e disa mediave dhe presionin ndaj gazetarëve.
“Kam denoncuar mbylljen e mediave Agon Channel, Ora News, Focus Media Group dhe presionin e vazhdueshëm ndaj gazetarëve”, theksoi ajo.
Në fund të fjalës së saj, Albana Vokshi u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës për rezistencë dhe angazhim të drejtpërdrejtë.
“Kemi mbështetjen që nuk e kemi pasur kurrë më parë, por tani është radha jonë të marrim fatet në duart tona. Të rezistojmë ndaj kësaj diktature. Ne nuk do të dorëzohemi”, përfundoi Vokshi.