
Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Klevin Thepin, 24 vjeç, dhe Doronesto Kullën, 19 vjeç, të dyshuar si organizatorët kryesorë të rrahjes masive mes adoleshentësh, e ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Shkodrës, pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht të moshës 17–18 vjeç, të cilët fillimisht u konfliktuan me grushte dhe më pas me sende të forta. Gjatë përleshjes dyshohet se është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë). Si pasojë, tre adoleshentë mbetën të dëmtuar lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve. 19-vjeçari Doronesto Kulla dyshohet se është përfshirë në sherr për të ndihmuar vëllain e tij, një 17-vjeçar, nxënës i shkollës “Shejnaze Juka”. Pamjet filmike tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe përfshihen në përplasje fizike, e cila zgjat rreth një minutë, përpara se të shpërndahen.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke nisur hetimet. Fillimisht u arrestuan dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë, ndërsa për pesë të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë.
Paralelisht, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori për një prej 17-vjeçarëve, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Arsyet e sakta të rrahjes mbeten ende të paqarta, por dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.