Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në aksin Maqellarë–Peshkopi, plagoset një çift bashkëshortësh, gruaja shtatzënë



Një aksident rrugor është regjistruar në rrugën nacionale Maqellarë–Peshkopi, në vendin e quajtur Melan, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.

Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes ka mbetur i lënduar një çift bashkëshortësh, të cilët janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Peshkopisë për ndihmë mjekësore. Mësohet se gruaja e plagosur ishte shtatzënë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se mjegulla e dendur dhe prania e akullit në rrugë mund të kenë ndikuar në ndodhjen e përplasjes.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.