
Një sulm me armë zjarri ka tronditur Bondi Beach, një nga plazhet më të famshme të Sidneit, ku të paktën 10 persona janë vrarë, përfshirë një person që besohet të ketë qenë një nga sulmuesit, njoftoi Policia e New South Wales për Euronews.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur dhjetëra plumba u shkrepën në një zonë ku po zhvillohej një eveniment për Hanuka, me rreth 2,000 pjesëmarrës, edhe pse nuk është konfirmuar nëse grupi ishte objektivi i sulmit.
Policia njoftoi se dy të dyshuar janë arrestuar dhe po merren në pyetje lidhur me sulmin. Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë një situatë kaotike, ku njerëzit largohen në panik ndërsa dëgjohen sirena dhe të shtëna. Një video tjetër tregon policinë duke ndaluar dy të dyshuarit mbi një urë civile, të cilët më parë ishin filmuar duke qëlluar me armë që dukeshin si snajperë.
Dëshmitarët thanë se mbi 50 të shtëna u regjistruan ndaj qytetarëve dhe automjeteve, ndërsa shumë persona kanë marrë lëndime të ndryshme. Pamjet tregojnë dhjetëra persona të shtrirë në tokë me gjak përreth.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, deklaroi:
“Pamjet në Bondi janë tronditëse dhe shqetësuese. Policia dhe ekipet e emergjencës po punojnë për të shpëtuar jetë. Mendimet e mia janë me çdo person të prekur.”
Ai shtoi gjithashtu se publiku duhet të ndjekë udhëzimet e policisë dhe të tregojë kujdes maksimal.
Policia e NSW kishte publikuar një paralajmërim rreth orës 19:30, duke këshilluar njerëzit të mbeten në strehë ose të shmangin Bondi Beach, pas raportimeve për një incident të mundshëm me armë zjarri.
Ngjarja mbetet nën hetim dhe autoritetet po punojnë për të sqaruar motivet dhe për të garantuar sigurinë në zonë.