Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon pas rikthimit të Ballukut në detyrë: Vendimi goditi organizimin demokratik të shtetit



Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar pezullimin e mëparshëm si një goditje ndaj organizimit demokratik të shtetit.

Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se ky nuk është rasti i parë, por i dyti, kur sipas tij tentohet që kompetencat e qeverisë dhe parlamentit të merren nga gjyqësori.

“Jo për herë të parë, fatkeqësisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjesht të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë,” deklaroi Rama.

Kryeministri vijoi kritikat, duke u ndalur edhe te çështja e pagave në sistemin e drejtësisë, ku tha se “atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ia rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për SPAK-un”.

Duke iu referuar një shprehjeje italiane, Rama theksoi: “Due indizzi non fanno una prova”, duke shtuar se në realitetin politik dhe mediatik shqiptar, sipas tij, indiciet shpesh shndërrohen në dënime pa prova.

“Por unë nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia,” u shpreh kryeministri.

Në përfundim, Rama theksoi nevojën për reflektim serioz dhe ndërinstitucional, duke nënvizuar se Reforma në Drejtësi duhet të garantohet, por pa u kthyer, sipas tij, në një rrezik për liritë, të drejtat dhe funksionimin e administratës dhe ekonomisë së vendit.

“Duhet medoemos të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, por nuk mundet kurrsesi të lejojmë që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja,” përfundoi Rama.