
Kryesia e Partisë Demokratike ka njoftuar se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet të mërkurën, duke nisur nga ora 17:00.
Sipas njoftimit zyrtar, në rendin e ditës së takimit do të jenë situata politike në vend, qëndrimet e Partisë Demokratike, si dhe protesta kombëtare e paralajmëruar për më 22 dhjetor.
Kujtohet se në një deklaratë të mëparshme, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka theksuar se protesta e 22 dhjetorit përfaqëson fillimin e një beteje politike që, sipas tij, do të vijojë deri në fitoren e Partisë Demokratike.
Berisha ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion të përhapur. Ai ka ndalur veçanërisht te çështja e ministres Belinda Balluku, për të cilën është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e saj në detyrë i jep mundësi të shkatërrojë prova apo të intimidojë dëshmitarë.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar pritet të përcaktojë edhe hapat e mëtejshëm politikë të opozitës në prag të protestës së 22 dhjetorit.