Vendosni fjalën kyçe....

Noka pas përplasjes me Salianjin: Dorëheqja ime do të qetësonte vetëm Edi Ramën


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD, duke komentuar debatin e zhvilluar brenda forumit drejtues dhe kërkesën e deputetit Ervin Salianji për dorëheqjen e tij.

I pyetur për këtë përplasje, Noka u shpreh se largimi i tij nga detyra nuk do të sillte asnjë përfitim për opozitën, por do të shërbente vetëm për interesat e kryeministrit Edi Rama.

“Dorëheqja ime qetëson vetëm një gjë, Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij. Ky është realiteti”, deklaroi ai.

Sa i përket firmave të deputetëve të opozitës për Endri Shabanin si Avokat të Popullit, Noka pranoi se është bërë një gabim dhe theksoi se Partia Demokratike dhe kryetari i saj kanë kërkuar ndjesë publike.

Sipas tij, firmat janë dhënë në një moment të nxituar dhe emocional.

 “Për firmat që janë dhënë për Avokatin e Popullit ne kemi kërkuar ndjesë. Ndjesa është për arsye se në ngutje e sipër ose në një moment emocional”, tha Noka.

Ai shtoi se PD ka ndërmarrë veprime formale për tërheqjen e firmave, duke sqaruar se më 2 dhjetor kreu i grupit parlamentar ka depozituar në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për anulimin e tyre, në përputhje me rregulloren parlamentare.

Në fund të prononcimit, Noka u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës në protestën e paralajmëruar për 22 dhjetor, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

 Sipas tij, kjo protestë do të shënojë nisjen e një cikli veprimesh kundër qeverisë, deri në krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.