
Ushtria izraelite deklaroi se ka vrarë komandantin e lartë të Hamasit, Raed Saed, një nga arkitektët e sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, në një sulm ajror ndaj një automjeti në qytetin e Gazës, të shtunën.
Sipas autoriteteve izraelite, ky është atentati më i profilit të lartë ndaj një figure të Hamasit që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza në tetor, përcjell Reuters.
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz thanë se Saed u godit si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit, gjatë të cilit një mjet shpërthyes plagosi dy ushtarë izraelitë më herët të shtunën.
Autoritetet shëndetësore në Gaza bënë të ditur se nga sulmi ndaj automjetit në qytetin e Gazës u vranë pesë persona dhe u plagosën të paktën 25 të tjerë.
Nuk pati një konfirmim të menjëhershëm nga Hamasi apo nga mjekët nëse Raed Saed ishte mes të vrarëve.
Një zyrtar ushtarak izraelit e përshkroi Saed si një anëtar të rangut të lartë të Hamasit, i cili kishte ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e rrjetit të prodhimit të armëve të grupit. Sipas tij, “në muajt e fundit, ai kishte vepruar për të rindërtuar kapacitetet dhe prodhimin e armëve të Hamasit, një shkelje flagrante e armëpushimit”.
Burime brenda Hamasit e kanë përshkruar Saed si zëvendëskomandantin e krahut të armatosur të grupit, pas Izz el-Deen al-Hadad. Ai kishte drejtuar më parë batalionin e Hamasit në qytetin e Gazës, një nga njësitë më të mëdha dhe më të pajisura të organizatës.
Hamasi, në një deklaratë, e dënoi sulmin duke e cilësuar si shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, por nuk konfirmoi nëse Saed ishte vrarë apo plagosur dhe u përmbajt nga kërcënimet për hakmarrje.
Lufta në Gaza nisi pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 251 pengje gjatë sulmit ndaj Izraelit jugor më 7 tetor 2023. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 70.700 palestinezëve, shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.
Armëpushimi i 10 tetorit ka mundësuar kthimin e qindra mijëra palestinezëve në rrënojat e qytetit të Gazës. Izraeli ka tërhequr trupat nga disa pozicione urbane dhe flukset e ndihmës humanitare janë rritur.
Megjithatë, dhuna nuk është ndalur plotësisht. Autoritetet palestineze të shëndetësisë thonë se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën 386 persona. Nga ana e saj, Izraeli njofton se tre ushtarë të tij janë vrarë që prej fillimit të armëpushimit dhe se janë goditur dhjetëra luftëtarë.