Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetëra migrantë kalojnë në Poloni përmes një tuneli të fshehtë në kufirin me Bjellorusinë


Më shumë se 180 migrantë kanë arritur të hyjnë në Poloni përmes një tuneli të fshehtë në një zonë pyjore pranë kufirit me Bjellorusinë, njoftuan të premten autoritetet polake, përcjell Reuters.

Sipas Rojeve Kufitare, rreth 130 prej tyre u ndaluan brenda territorit polak pasi tuneli u zbulua të enjten, ndërsa pjesa tjetër vazhdojnë të jenë në arrati.

Autoritetet publikuan edhe pamje të tunelit, i cili ishte gërmuar nën rrënjë dhe tokë të zhveshur, i mbështetur me shtylla druri dhe shufra metali, me një lartësi prej vetëm 1.5 metrash, aq sa të detyronte shumicën e njerëzve të kalonin të përkulur.

Polonia, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, po përballet me krizë migratore në kufirin me Bjellorusinë që prej vitit 2021.

Varshava akuzon regjimin bjellorus dhe aleatin e tij, Rusinë, se po nxisin migrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të kalojnë kufirin me qëllim destabilizimin e vendit. Minsku dhe Moska i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Rojat Kufitare deklaruan se ky është tuneli i katërt i zbuluar këtë vit në rajonin lindor të Podlaskies. Po ashtu, u arrestuan një 69-vjeçar polak dhe një 49-vjeçar nga Lituania, të cilët kishin mbërritur për të marrë migrantët.

Sipas autoriteteve, hyrja e fshehtë ndodhej rreth 50 metra brenda territorit bjellorus, ndërsa dalja e tunelit ishte vetëm 10 metra larg barrierës kufitare në anën polake.

Përmes sistemeve elektronike të monitorimit, u përcaktua numri i personave që kishin kaluar, ndërsa ushtria dhe policia janë angazhuar në kërkim të migrantëve të tjerë.

Polonia nisi ndërtimin e gardhit kufitar 180 kilometra të gjatë në vitin 2022.