Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Shqipëria nuk është më në qoshe, por një vend ku gjërat ndodhin



Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, organizuar nga Delphi Forum, ku po diskutohet mbi mundësitë e zhvillimit që ofron Shqipëria. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se realiteti i vendit ka ndryshuar ndjeshëm dhe se Shqipëria tashmë shihet si një pikë referimi dhe jo si një cep i largët.

Rama u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë kaluar vështirësi, por sot ekzistojnë më shumë mundësi dhe bashkëpunimi është më i fortë. Ai theksoi se Shqipëria po qëndron me vetëbesim në skenën rajonale dhe evropiane, ndërsa reformat e ndërmarra janë konkrete dhe jo vetëm premtime.

“Sot Shqipëria nuk është më duke parë nga qoshja, por qëndron me vetëbesim, ambicie dhe largpamësi. Si një vend ku gjërat ndodhin, ku reformat nuk janë premtime por praktika. Në një Europë që po rishikon arkitekturën e saj, vendi ynë po del si shtyllë stabiliteti,” tha Rama.

Ai shtoi se vendi ka shënuar përmirësime në disa tregues ekonomikë: “Kemi ndryshuar buxhetin dhe GDP, ndërsa deficiti është në nivelin më të ulët. Sektori i turizmit është duke u rinovuar, nga portet te hekurudhat. Po modernizojmë shtetin dhe pagat po rriten. Industria ushtarake po rilind.”

Rama e mbylli deklaratën duke theksuar se arritjet e deritanishme janë rezultat i punës së qëndrueshme: “Asgjë nuk ndodh si aksident!”