
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference nga selia blu, deklaroi se shpopullimi është problemi më i madh që po përballet sot Shqipëria, duke e cilësuar atë një “katastrofë ekzistenciale” për të ardhmen e vendit.
Berisha tha se PD ka hartuar një platformë konkrete për nxitjen e lindshmërisë dhe frenimin e emigracionit, masa që sipas tij duhet të marrin formë që me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
“Shpopullimi është emergjencë absolute. Duhet një platformë që mund të shënojë kthesën e treguesve demografikë, që ky popull të mos shkojë drejt zhdukjes së pashmangshme me këto ritme,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se vetëm gjatë viteve të fundit, numri i vdekjeve ka qenë më i lartë se ai i lindjeve, ndërsa largimet masive drejt emigrimit e përkeqësojnë edhe më shumë situatën demografike.
Në këtë kuadër, Berisha prezantoi paketën e propozuar nga PD për mbështetje financiare ndaj familjeve të reja:
1 000 euro në vit për fëmijën e parë
2 000 euro në vit për fëmijën e dytë
3 000 euro në vit për fëmijën e tretë
5 000 euro në vit nga fëmija i katërt e në vijim
Sipas tij, duke llogaritur rreth 30 mijë lindje në vit, kjo masë do të kushtonte rreth 60 milionë euro në buxhet.
Berisha propozon gjithashtu që të ketë një bonus mujor për çdo fëmijë të lindur, të ndarë kështu:
50 euro në muaj deri në moshën 6 vjeç
6 euro në muaj deri në moshën 18 vjeç
Sipas kreut të PD-së, këto politika do të ishin një hap i rëndësishëm për të frenuar shpopullimin dhe për të përmirësuar treguesit demografikë të vendit.