
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pasi policia e procedoi për protestën e zhvilluar para Kryeministrisë. Ai ironizoi veprimin e autoriteteve, duke thënë se procedimi lidhet me “bllokimin e trotuarit”.
“Bllokova trotuarin, meme e madhe. Kemi bërë një kërkesë dhe një njoftim sipas ligjit. Para se të kthenin përgjigje, erdhën e hoqën çadrat pa i vënë. Sërish do të jemi sot në orën 17:00,” u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se respekton punonjësit e policisë, por akuzoi qeverinë se po merret me të për të mbuluar skandale të mëdha financiare.
“Paskan bojë e letër për mua, kur ka nga ata që vodhën 50 mln euro me tunelin e Llogarasë. Me kallëzime për bllokime rrugësh ndaj meje do të mbulojë vjedhjet dhe mungesën e ilaçeve? Të mos themi që s’ka ilaçe te Onkologjiku? Mua do të më trembë ai?”
Lapaj përmendi edhe çështjen e inceneratorëve dhe akuzoi qeverinë për korrupsion.
Ai shtoi me ironi se procedimi ndaj tij “duhet të ishte dekoratë”.
“Dekoratë që më kanë proceduar, sepse reagon sa shumë trembet nga protesta në këtë bulevard ku janë vrarë 4 persona, për pushtetin e tij. Nuk ka lënë rrugë pa bllokuar me goma, ky më tregon mua bllokimin e rrugës? Jam i gëzuar që Rama më ka proceduar sot penalisht,” deklaroi Lapaj.